Detaje nga gjykimi për vrasjen e veteranit të UÇK-së në Prekaz të Skenderajt

Halil Fejza dhe Korab Imeri, i pari i akuzuar për vrasjen e Ilir Zeqirit, ndërsa i dyti për ndihmë pas kryerjes së veprës penale janë sjellë sot në Gjykatën e Mitrovicës për t`u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë.

Në seancën e mbajtur sot kanë dhënë fjalën hyrëse palët në këtë rast, por meqenëse i akuzuari Halil Fejza e ka pranuar fajësinë fjala hyrëse është dhënë vetëm në raport me të pandehurin Korab Imeri.

Prokurori i rastit Njazi Rexha ka thënë se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës vërtetohet fakti se me tetë prill të vitit të kaluar i akuzuari Korab Imeri ka ndihmuar të akuzuarin Halil Fejza pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjeri Ilir Zeqiri ashtu që sipas marrëveshjes paraprake me automjetin e markës BMW model X5 tek varrezat në lagjen “Nezaj“ pas kryerjes së vrasjes ka marr Halil Fejzën është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes deri te një pompë e benzinës në Skenderaj.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit Imeri, avokati Ali Rexha ka thënë se e kundërshtojnë aktakuzën në tërësi duke e quajtur atë ne tërësi të pabazuar dhe të paargumentuar.

“Lidhur me aktakuzën që është i akuzuar mbrojtësi im, për atë në e kundërshtojmë në tërësi si të pabazuar të paargumentuar, sepse i mbrojturi im nuk është pjesë i aktivitetit kriminal në asnjë mënyrë dhe atë që e ka bërë pavetëdije. Në kohën për të cilën bëhet fjalë Korabi ka qenë në kufijtë e të miturit 19 vjet e 2 muaj”, ka thënë Rexha.

Ndërsa përfaqësuesi i familjes së të vrarit Ilir Zeqiri, avokati Haxhi Millaku ka shprehur vërejtje lidhur me aktakuzë duke e cilësuar atë si të pjesshme, duke konsideruar se hetimet në këtë rast janë bërë në mënyrë të pjesshme dhe tendencioze e selektive.

Millaku ka thënë se tregimi se përpiluar që nga fillimi i kallëzimit penal e deri në këtë fazë është sipas tij sipërfaqësor dhe joprofesional.

“Unë vazhdoj të konsideroj se hetimet janë bërë në mënyre të pjesshme tendencioze dhe selektive dhe konsiderojmë se mënyrën e veprimeve të cilët kanë ndërmarr peronat jo vetëm këta që akuzohen por kemi të bëjmë edhe me persona të tjerë që janë mbuluar me apo qëllim nga organet e ndjekjes. Këtë e them me bindje sepse nga provat e administruara nga dosja e lëndës sidomos mënyra e kryerjes së veprës penale ku gjeti vdekjen Ilir Zeqiri tregimi i përpiluar që nga fillimi i kallëzimit penale e deri me tani është shumë sipërfaqësor dhe joprofesional“, tha Millaku.

Pas fjalës hyrëse e ftuar si dëshmitare ka qenë edhe Shkurta Zeqiri, gruaja e tani të ndjerit Ilirit.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Njazi Rexha, dëshmitarja ka thënë se i ndjeri e kishte përmendur emrin e të akuzuarit Korab Imeri, ndërsa më shumë i kishte folur për të akuzuarin Halil Fejza, ky i fundit e ka pranuar fajësinë për vrasje e Zeqirit.

Tutje dëshmitarja Zeqiri ka thënë se familja e të pandehurit Korab Imeri kishte shkuar të kërkonte besë nga familja Zeqiri, por ajo nuk ka dhënë shumë detaje pasi që siç ka thënë nuk kishte shumë dijeni në lidhje me marrëdhëniet e të ndjerit Ilir Zeqirit dhe të pandehurit Imeri për të cilin po vazhdon procedura.

I ftuar nga prokuroria ka qenë edhe Abedin Thaqi në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rrethanat e dhënies së shumës prej 10 mijë euro ndaj Ilir Zeqirit,  andaj meqenëse deklarata e tij nuk ka përkuar me të akuzuarin Korab Imeri, i cili siç ka thënë prokurori nuk është i involvuar në ngjarjen rreth borxhit, Rexha ka deklaruar se heq dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

Mirëpo dëshmitari iu është përgjigjur disa pyetje të avokatit Haxhi Millaku, pasi kërkesa e tij për ta marr në pyetje dëshmitarin është aprovuar nga trupi gjykues me Tomislav Petroviq kryetar dhe Ferki Xhaferi e Nikolla Kabashiq, anëtarë të trupit gjykues.

Halil Fejza i akuzuar se ka vrarë veteranin e UÇK-së, Ilir Zeqiri në prill të vitit 2019 në Skenderaj ka pranuar se ka kryer këtë vepër që në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar.

Tashmë i vrari Ilir Zeqiri kishte qenë dëshmitar në rastin e vrasjes së policit Valon Goxhuli në Skenderaj, por vrasja e tij, sipas Prokurorisë, ka ndodhur për shkak të një borxhi prej 9 mijë euro.

E gjithë ngjarja, sipas Prokurorisë së Mitrovicës, ka ndodhur në prill të vitit 2019 në fshatin Prekaz i Epërm komunës së Skenderajt me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, ku i pandehuri Fejza, siç thuhet në aktakuzë, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin, Ilir Zeqiri.

Sipas akuzës, pasi Halil Fejza i kishte Ilir Zeqirit 9 mijë euro borxh, ditën kritike e kishte thirrur viktimën në telefon përmes messengerit që ta dërgojë me automjet deri në fshatin Prekaz, për nevojat e tij personale.

Ilir Zeqiri punonte si taksist në Skenderaj.

Fejza dhe Zeqiri ishin takuar të xhamia në Skenderaj dhe kishin vazhduar rrugën për në fshatin Prekaz, ndërsa me të mbërritur të lagja “Nezaj”, në rrugicën ku më parë kishte fshehur pushkën automatike, kishte kërkuar nga viktima që t’ia ndalë automjetin kinse për të kryer nevojën fiziologjike.

Aktakuza thotë se Fejza kishte dalë nga automjeti, kishte marrë pushkën automatike dhe kishte shtënë në viktimën duke e goditur në kokë, me ç’rast i kishte shkaktuar dëmtime si pasojë e të cilave Zeqiri kishte vdekur.

Me këtë, Fejza akuzohet se e kishte kryer veprën vrasje e rëndë.

Ndërsa për shkak të posedimit të armës, Fejza akuzohet për kryerje të veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Në këtë rasti i akuzuar është edhe Korab Imeri, i cili sipas prokurorisë akuzohet për dy vepra: Atë të armëmbajtjes pa leje dhe dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprës penale.