Gjykimi ndaj Sylejman Ahmetit, i akuzuar për vrasje - 27.04.2022

Detaje nga gjykimi për rastin e vrasjes që dyshohet se ndodhi për 20 euro borxh

Sylejman Ahmeti është ulur në bankën e të akuzuarve për t`u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë për vrasjen e ndodhur më 26 janar 2020 në Suharekë.

Prokuroria e ngarkon Sylejman Ahmetin se shkaku i një mosmarrëveshjeje për një borxh prej 20 euro që i ndjeri ia kishte vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti me kallashnikovë e kishte vrarë Shaip Krasniqin.

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Prizrenit janë administruar provat e propozuara nga ana e prokurorit Metush Biraj, si: raporti i bastisjes me foto-album i Policisë së Kosovës i datës 26 janar 2020, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes me nr.TK-012/2020 së bashku me foto-albumin, lista e dëshmive, zinxhiri i ruajtjes dhe skicës së vendit të ngjarjes si dhe raporti i forenzikës i datës 7 shkurt2020.

Ndërkaq, nga ana e Miftar Qelajt, mbrojtës i palës së dëmtuar u propozua që si provë të administrohen telefonat e tipit “Iphone”- pronë e të ndjerit Shaip Krasniqi si dhe telefoni “Samsung Galaxy”- pronë e të akuzuarit Sylejman Ahmeti.

Avokati Qelaj gjithashtu propozoi që si provë të administrohen edhe mesazhet – komunikimet e bëra nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nazmi Mustafi propozoi që të administrohen mesazhet e këmbyera mes vëllait të të akuzuarit Sylejman Ahmeti- Njazi Ahmeti dhe të ndjerit Shaip Krasniqi para se të ndodhte rasti.

Tutje në gjykim avokati Mustafi konsideroi që si provë duhej administruar bishti i sëpatës të cilin e ka pasur në dorë i ndjeri Shaip Krasniqi dhe nga gjykata kërkoi që të shikohet CD-t e vendit të ngjarjes nga ora 09:00 deri në ora 21:00.

Lidhur me këto propozime kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha do të vendos në seancën e radhës më datë 28 prill 2022.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.