
Detaje nga gjykimi ndaj dy ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli
Në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca ndaj dy ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli. Haliti dhe Canolli, janë dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kujtojmë se të akuzuarit janë shpallur fajtorë në shkallën e parë, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. I akuzuari Ismet Haliti është dënuar më 9 muaj burg. Kurse i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili është zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2000 euro me pëlqimin e tij.
Prokuroria pretendon se ky dënim i Gjykatës Themelore është i ulët. E njëjta i ka propozuar, Gjykatës së Apelit që të ndryshojë vendimin e shkallës së parë dhe të akuzuarve t`iu shqiptojë dënime më të larta.
Mbrojtja e të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi, kërkoi që vendimi i shkallës së parë të anulohet.
“Kërkoj që vendimi i shkallës së parë, të anulohet. Pasi që ky aktgjykim e rrënon vetveten, ky aktgjykim duhet të prishet dhe të kthehet në rigjykim”, tha avokati Krasniqi.
Kurse mbrojtja e të akuzuarit Skender Canolli, avokatja Ibadete Veriqi Ajvazi, propozoi që Gjykata e Apelit të kundërshtojë vendimin e shkallës së parë.
“I propozoj Gjykatës së Apelit që ta kundërshtojë, vendimin e shkallës së parë”, tha avokatja Veriqi Ajvazi.
Prokuroria, e akuzon Ismet Halitin dhe Skender Canollin se gjatë vitit 2008 deri në vitin 2014, në cilësinë e personave zyrtarë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, dhe nuk kanë zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje për një pronën private, në emër të H. V.
Sipas aktakuzës kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se i pandehuri Ismet Haliti është njoftuar në formën e shkruar nga inspektorët e ndërtimit se objekti duhet të rrënohet, mirëpo të njëjtit edhe përkundër njoftimeve nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me ç’ rast i kanë mundësuar përfitim H. V. nga ndërtimet pa leje nga organi kompetent.
Me këtë në bashkëveprim ata akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.