Detaje nga arrestimi për mashtrim: Të dyshuarit kërkuan mbi 3 mijë euro për shërimin e viktimës jashtë vendit

Dy persona janë arrestuar gjatë ditës nën dyshimin se kanë mashtruar dy persona të tjerë, të cilëve u kishin garantuar rregullimin e dokumentacionit për shërim jashtë vendit.

Gjithçka kishte nisur kur njëri nga viktimat kishte kërkuar ndihmë për të mbledhur para në mënyrë që ta dërgonte vëllanë jashtë vendit për shërim.

Pas këtij apeli, i cili ishte publikuar në rrjete sociale, viktima ishte kontaktuar nga një person i cili i kishte thënë se mund ta ndihmojë me rregullim të dokumentacionit për të dërguar të vëllanë për shërim jashtë Kosovës. I dyshuari kishte kërkuar shumën prej 1 mijë e 700 eurove fillimisht me pretendimin se këto para do të shpenzoheshin për rregullim të dokumenteve për të udhëtuar jashtë vendit.

Disa ditë më pas, njëri nga të dyshuarit sërish u kishte kërkuar para viktimave ndërsa këta të fundit kishin filluar dyshimet e para për mashtrimin.

Pas këtij dyshimi viktima kishte njoftuar Policinë.

KALLXO.com mëson se raportimi nga ankuesi për mashtrim ishte bërë gjatë ditës së djeshme ndërsa menjëherë ishte formuar edhe një grup hetimor, i cili sot ka arritur të arrestojë dy të dyshuar për këtë çështje.

Sipas informacioneve, dy të dyshuarit në takimin e sotëm të cilin kishin planifikuar ta mbanin me viktimat u kishin kërkuar këtyre të fundit 2 mijë e 500 euro dhe pasaportat sërish me pretendimin e njëjtë se do tu rregullonin dokumentet e nevojshme të cilat mund të shfrytëzoheshin jashtë vendit për shërim.

Policia ka njoftuar se ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.