Detaje nga aksidenti në Uglar të Gjilanit ku mbeti e vdekur një grua (FOTO)

Një grua shtetase e Shqipërisë ka vdekur ndërsa tre persona të tjerë kanë marrë lëndime nga një vet aksident që ka ndodhur në lumin “Morava” në fshatin Uglar të Komunës së Gjilanit.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm ndërsa policia ka dhënë detaje në lidhje me vetaksidentin.

Sipas zëdhënësit të policisë në Gjilan, Ismet Hashani, në veturë kanë qenë katër persona ndërsa është shkaktuar vetaksident dhe vetura kishte përfunduar në lumin “Morava”.

Tre personat e tjerë që ishin në veturë janë shpëtuar nga disa qytetarë dhe disa zyrtarë policor.

“Në përpjekje për t’i shpëtuar të aksidentuarit, që kishin rënë me automjet në lumin e “Moravës së Binçës” policët së bashku me një qytetar nga Uglari kanë hy në lum dhe kanë arritur të shpëtojnë tre të aksidentuarit që ishin ngujuar dhe fundosur , nga automjeti i përmbysur në këtë lumë”, tregon tutje Hashani.

Sipas Hashanit të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit për tretman mjekësor.

Policia në anën tjetër ka falënderuar edhe qytetarët që ndihmuan në shpëtimin e tre personave të tjerë që ishin brenda veturës e cila u fundos në lum.