Rasti Toka - 05.09.2019

Dështon të mbahet seanca ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin "Toka"

Në Gjykatën e Prishtinës sot ishte caktuar të mbahej seanca ku ish-deputeti i PDK-së Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Megjithatë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Gazmend Gashi, avokatit Qerim Metaj bëri që kjo seancë të dështoj.

Sipas gjykatësit të rastit, Beqir Kalludra, ai ishte njoftuar ditën e djeshme me një parashtresë nga i akuzuari Gazmend Gashi se mbrojtësi i tij është në gjendje të keqe shëndetësore prandaj nuk do të kishte mundësi të vinte në seancë.

I akuzuari Gashi gjithashtu kishte thënë se koha është shumë e shkurtë për të siguruar një mbrojtës tjetër dhe mbrojtja është e obliguar.

Për seancën e ardhshme që është e caktuar të mbahet me 11 shtator, gjykatësi Kalludra njoftoi se do të mbahet në Gjilan.

Arsyeja pse kjo seancë është vendosur të mbahet në Gjilan është pasi që një nga dëshmitarët e Prokurorisë do të japë dëshminë përmes video-linkut.

Sipas tij Gjykata e Prishtinës nuk ka mjete teknike për të mbajtur seancën përmes video-linkut.

Kalludra gjithashtu shtoi se salla e vetme që mundëson këtë është shumë e vogël për të gjithë të akuzuarit.

Seanca në rastin Toka – 05.09.2019

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin e njohur në publik si ‘Rasti Toka’.