Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, nën akuzat se të njëjtit janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani njoftoi palët në procedurë se anëtari i trupit gjykues Vesel Ismaili nuk mund të jetë prezent në këtë gjykim për arsye shëndetësore.

“Siç e shihni edhe vet trupi gjykues nuk është në përbërje të plotë për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismaili. I njëjti nuk është mirë me shëndet, gjendet në trajtim mjekësor. Paraprakisht ka njoftuar edhe udhëheqësin e departamentit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë”- tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani.

Përveç seancës së sotme, është anuluar edhe seanca e sila ishte paraparë të mbahej nesër.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen më 12, 13, 14 dhe 17 korrik 2023.

Përndryshe sot ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë, ish-ministri i Financave dhe tash kryetari i Komunës së Jugut, Bedri Hamza dhe Fitim Krasniqi, të cilët ishin prezentë në sallë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.