Dështon sërish seanca ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Novobërdës

 

Sërish ka dështuar seanca ndaj shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues Zyhdi Haziri.

Sipas njoftimit të dhënë nga Gjykata e Gjilanit, gjykatësi Haziri gjendet për punë zyrtare jashtë vendit.

Për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose i shenjave në këtë proces, akuzohet edhe Osman Ramadani.

Sipas Prokurorisë, Selatin Beqiri akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ashtu  qe në  cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Novobërdë, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe i ka shkelur dispozitat ligjore të Ligjit për Ndërtim.

Tutje sipas Prokurorisë, Beqiri me veprimet e tij Osman Ramadanit me datë 02.11.2018, i ka lëshuar leje për mbi ndërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi, ku ky i fundit kishte dalur në vend të ngjarjes me datën 01.11.2018 në të cilën datë e ka rrethuar objektin me shirit.

Tutje, i akuzuari tjetër Osman Ramadani, pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për objektin e mbi ndërtimit, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Kujtojmë se edhe seanca e 15 tetorit të këtij viti kishte dështuar të mbahet, për shkak të mungesës së prokurorit Isuf Sadiku.

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shtye për datën 13 dhjetor.