Dështon seanca për vjedhjen grabitçare të kryer para 19 vjetësh në Drenicë

Mosprezenca e të akuzuarit Xhemshir Muharremi në Gjykatë, ka bërë që kjo seancë të dështoj.

Bajram Muharremi i cili me të akuzuarin tjetër në këtë rast Xhemshirin janë vëllezër e ka njoftuar gjykatësin e rastit, së ky i fundit gjendet në Itali për shkak se fëmija i tij është operuar.

Andaj mos prezenca e të akuzuarit ishte arsyeja e shtyrjes së kësaj seance.

Gjykatësi i rastit Radoslav Markoviq me pas njoftoi palët tjera prezente se në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë do të shtyhet, duke caktuar seancën e radhës të mbahet me 17 dhjetor.

Ndryshe, ish- Prokuroria Publike e Qarkut kishte ngritur aktakuzë për dy vepra penale ndaj Xhemshir dhe Bajram Muharremit.

Sipas aktakuzës të pandehurit Xhemshir dhe Bajram Muharremi, së bashku me dy persona NN, në shtator të viti 2000, në Skenderaj kishin hyrë me maska në oborrin e depos së të dëmtuarit Ilir Murtezajt dhe kishin marrë nga një thes pleh artificial të tipit 15x15x15, të cilin e kishin ngarkuar në veturën, e cila kishte qenë e parkuar afër kësaj depoje.

Akuza shpjegon se tre NN personat e tjetrës veturë, kishin bërë roje, kurse vozitësi i saj, me tytën e pushkës automatike kishte mbajtur në shënjestër rojtarin Brahim Kaçkinin, dhe i ishte kanosur me fjalët “po që se lëvizë nga vendi aty për aty do të sulmojë”.

Kurse pas përfundimit të këtij aksioni, të pandehurit Xhemshir dhe Bajram Muharremi dhe NN personat, me të dy veturat ishin larguar në drejtim të Drenasit.

Me këtë të lartcekurit akuzohen se në bashkëveprim me pesë persona të panjohur akuzohen se kanë kryer veprën penale “rastet e rënda të vjedhjes grabitçare”.

Kurse në pjesën e dytë të akuzës thuhet se të pandehurit Xhemshir dhe Bajram Muharremi, dhe tre persona të panjohur, në fshatin Polac të Komunës së Skenderajt, në oborrin e depos së firmës “Egzona-kom”, kishin marrë shtatë thasë pleh artificial, me ç`rast rojtari Enver Hoti, kishte thirrur që thasët t`i lëshojnë, ndërsa ata menjëherë i kishin ngarkuar në rimorkion e traktorit të markës “IMT 542”, të ndalur afër depos.

Ndërsa me të arritur në vendin e quajtur “Varri i Xhevdet Arruqit”, ishin ndaluar nga policia, me ç`rast i pandehuri Xhemshir Muharremi ishte arrestuar, kurse me qëllim të mbajtjes së tyre, i pandehuri Bajram Muharremi bashkë me tre NN persona kundër policit vendor Z. Z., përkthyesit H. T. dhe veturës së Policisë së UNMIK-ut, ku kishte qenë polici ndërkombëtar Y. K., si dhe i arrestuari Xhemshir Muharremi kishin hedhur gurë e copa tjegullash, raporton Kallxo.com.

Policit Z. Z. i ishin kanosur me fjalët “Le traktorin aty! Gjuaje me revole, vraje!”, me ç`rast polici me qëllim të zmbrapsjes së sulmit kishte shtënë me revole ku edhe e kishte qëlluar me dy predha të pandehurin Bajram Muharremi në këmbën e djathtë.

Pastaj, siç ceket në aktakuzë, duke e lënë të kyçur traktorin kishte arritur t`i bashkëngjitet patrullës policore dhe me veturë ishin evakuuar nga vendi i ngjarjes, kurse Bajram Muharremi traktorin e kishte dërguar në shtëpinë e vet, e në vendin e ngjarjes kishte ngelur rimorkioja dhe pesë thasë të plehut artificial.

Me këtë, Xhemshir dhe Bajram Muharremi, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “rastet e rënda të vjedhjes grabitçare”.