Dështon seanca për rastin ‘Stenta - 2’

Në mungesë të avokatëve dhe të akuzuarve, ka dështuar të mbahet seanca e radhës në rastin “Stenta – 2”.

Në rastin ‘Stenta – 2’ (në procedurë të veçuar) të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar janë: Murat Abazi, Ferid Susuri, Perihane Sefa, Masar Gashi, Elfedin Muhaxheri dhe Nexhmi Zeqiri.

Në mungesë të të akuzuarve Ferid Susuri, Perihane Sefa, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri, ka dështuar të mbahet sot shqyrtimi gjyqësor i paraparë për këtë rast.

Fillimisht të akuzuar në këtë rast penal kanë qenë 45 persona, por ndaj të akuzuarve të lartcekur për shkaqe të ndryshme ishte veçuar procedura.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua më datë 29 nëntor të këtij viti.

Në rastin e njohur si ‘Stenta’, fillimisht në një proces gjyqësor të akuzuar kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë qysh në shqyrtimin fillestar.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit ‘Stenta – 2’, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar në atë mënyrë që duke i kontrolluar pacientët i kishin udhëzuar të njëjtit të shkonin në spitalin privat IMH ose EDA, ku për çdo pacient që dërgonin për vendosje të stendave merrnin nga 500 Euro, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 Euro.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ‘Stenta 2″ mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK