Dështon seanca për keqpërdorim ndaj ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë

Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Gjakovës.

Shkak i mos mbajtjes së seancës së sotme, ishte se i akuzuari Mazreku nuk ishte prezent në gjykatë për arsye shëndetësore.

Këtë gjë e arsyetoi edhe avokati i tij Emrush Kastrati, duke sjellë raportin mjekësorë të tij.

Ndërsa gjyqtari Nikollë Komani, caktoi datën 2 shtator për seancën e radhës.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Në seancën e kaluar në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

 

Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.