Xhavit Drenori, - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca për kanosjen e Xhavit Drenorit

 

Ka dështuar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarave Lavdim dhe Burim Hoti të cilët po akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale kanosja e kandidatit Xhavit Drenori.

Arsyeja për mosmbajtjen e seancës ishte se të akuzuarit nuk ishin të pajisur me shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë, dhe të njëjtit nuk kishin të angazhuar mbrojtës.

Të akuzuarit Hoti, deklaruan se nga prokuroja Fitore Sadikaj, nuk kanë pranuar asnjë kopje nga shkresat e lëndës e madje as aktakuzën.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala, ishte në dijeni se të akuzuarit nuk i kuptojnë rrjedhat e procedurës penale e poashtu të akuzuarit fare nuk janë të njoftuar për veprën penale e cila iu vihet barrë, pas këtyre rrethanave, i njëjti e ndërpreu seancën në mënyrë që të akuzuarit të pajisen me shkresat e lëndës dhe t`iu mundësohet një mbrojtje profesionale.

Gjyqtari Lutfi Shala, urdhëroi Prokurorinë Themelore, që t’i pajisë të akuzuarit me shkresat e lëndës, deri në seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 26.12.19, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës, më 15.10.2017, rreth orës 09:35, në rrugën “Besim Mala”, në Drenas, të pandehurit në bashkëveprim në mënyrë të kundërligjshme kanë penguar kandidatin Xhavit Drenori në ushtrimin e veprimtarisë gjatë fushatës elektorale.

Sipas dosjes së Prokurorisë i pandehuri Burim Hoti i ka shkruar në Facebook “S’jom kan në shpi se t’kisha tregu ty kon e qet në foto o rrenc se na nuk jena me ty jena me Ramizin”.

Më tutje aktakuza thotë se të nesërmen dy të pandehurit kanë shkuar me veturën e tyre, në parkingun e Komunës së re në Gllogoc, ku janë parkuar afër veturës së të dëmtuarit Xhavit Drenori.

Në aktakuzë theksohet se i pandehuri Lavdim Hoti i është kanosur me fjalë “Hiçi urgjentisht fotografitë prej Facebook-ut të cilat i ke bërë dje në fshatin Godanc, si dhe nëse nuk e heq foton nga Facebook-u shihemi nesër”.

Sipas dosjes së Prokurorisë kjo kishte ardhur pasi që i dëmtuari Xhavit Drenori e kishte postuar një foto në Facebook të cilën e kishte bërë gjatë fushatës elektorale me prindin e të pandehurve.

Këto veprime të dy të akuzuarëve sipas aktakuzës së Prokurorisë te i dëmtuari Xhavit Drenori kanë ndjellë ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë, ku të nesërmen edhe pasi ka pasur takim në Gllogoc nuk ka guxuar të shkojë.