Foto: Ilustrim

Dështon seanca për drogë ndaj Sekiraqës dhe dy të akuzuarve tjerë

Seanca për gjykimin e të akuzuarve Lirim Sekiraqa, Erlind Dobra dhe Demir Preni e cila ishte caktuar të mbahej sot ka dështuar pasi që mungonte anëtarja e trupit gjykues Valbona Musliu- Selimaj.

Trupi gjykues në këtë lëndë përbëhej prej kryetares Suzana Cerkini dhe anëtareve Shpresa Hasaj-Hyseni dhe Valbona Musliu-Selimaj.

Të akuzuarve Lirim Sekiraqa, Erlind Dobra dhe Demir Preni, Prokuroria i vë në barrë veprat penale: blerje, posedim shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve. Ndërsa Erind Dobra dhe Demir Preni akuzohen edhe për rrëmbimin e Lirim Sekiraqës.

Në bazë të aktakuzës gjatë muajit Qershor të vitit 2018 në Prishtinë, i pandehuri Lirim Sekiraqa ka blerë nga i pandehuri Demir Preni një kilogram substancë të dyshuar narkotike – Marihuanë të cilën e ka paguar për shumën prej 400 euro, ndërsa nga i pandehuri Demir ka blerë rreth 6 kilogram Marihuanë dhe nga i pandehuri Erind Dobra ka blerë një kilogram substancë të dyshuar narkotike – Marihuanë, të cilën e ka paguar 520 euro.

Ndërsa, të pandehurit Demir Preni dhe Erlind Dobra akuzohen edhe se kanë sulmuar Lirim Sekiraqën, me forcë e kanë futur në këtë veturë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjatë rrugës e kanë rrahur dhe kërcënuar se do ta djegin me benzinë nëse nuk ia sjell atyre paratë dhe substancën narkotike për të cilën pretendonin se ia ka vjedhur i dëmtuari Lirim Sekiraqa.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dëmtuari Lirim ishte detyruar të thërrasë vëllain e tij që të ja sjell paratë. Pasi vëllai i tij i kishte sjellë paratë Lirimi ishte liruar.