Dështon seanca në rastin e Goran Stanishiq

 

Ka dështuar seanca në rastin e Goran Stanishiq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e dëshmitarit të fundit të paraparë të dëgjohej, i cili gjendet jashtë vendit.

Gjykata vendosi që të kërkojë konfirmim me shkrim nga policia lidhur me dëshmitarin në fjalë, pasi që nuk kishin konfirmim zyrtar se a gjendet i njëjti brenda apo jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Seancat e radhës e u caktuan për datat, 15, 16, 29 dhe 30 shtator 2021.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.