Ilustrim - Arkiv

Dështon seanca ndaj të akuzuarit për vendosje të bombave te lokali i biznesmenit në Prishtinë

Seanca e paraparë të mbahet sot ndaj Artan Avdullahut, Bekim Krasniqit, Shkëlzen Zariqit dhe Vedat Rexhepit, nuk është mbajtur. Të njëjtit janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale se kanë vendosur bomba te lokali i Hajrullah Kryeziut me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit të këtij të fundit,  për ngjarjet që dyshohet se kanë ndodhur në vitin 2010.

Arsyeja për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Artan Avdullahu.

I njëjti gjendej në udhëtim jashtë vendit dhe për këtë udhëtim kishte njoftuar gjykatën.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të jepeshin fjalët përfundimtare nga të akuzuarit, në pamundësi të mbajtjes së kësaj seance, e njëjta do të mbahet më datë 24 tetor të këtij viti.

Kujtojmë që sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria dyshon se Artan Avdullahu më 25.5.2010 dhe më 7.9.2010 në Prishtinë, përkatësisht në lagjen “Dardania”, para hyrjes së kompanisë së sigurimeve “ICT” kishte vendosur dy herë radhazi granata dore dhe bombola gazi me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit.

Kështu që më 25 maj të vitit 2010 kishte vënë dy granata dore dhe një bombol gazi, njëra prej tyre kishte arritur të shpërthente rreth orës 02:00 të mëngjesit kurse tjetra ishte gjetur e pashpërthyer. Sipas Aktakuzës më 7 shtator të vitit 2010 përsëri ishte vendosur një granatë dore dhe një bombol gazi ku që të dyja kanë shpërthyer duke shkaktuar rrezikim të përgjithshëm për jetën e njerëzve.

Më këto veprime i pandehuri sipas Prokurorisë Speciale ka kryer veprën penale posedim dhe shfrytëzim i paautorizuar i armës.

Ndërsa të akuzuarit Artan Avdullahu, Bekim Krasniqi, Shkëlzen Zariqi dhe Vedat Rexhepi, duke vepruar si anëtarë të grupit kanë kërcënuar rëndë Hajrullah Kryeziun me qëllim që vetes dhe të tjerëve t’i sjellin dobi pasurore.

Kështu që në datat e lartcekura i pandehuri Artan Avdullahu në pronën e të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu më saktësisht te zyrat e “ITC” në Prishtinë kishte vendosur granatë dhe bombolën e gazit,  i shtyrë nga të pandehurit Krasniqi, Zariqi dhe Rexhepi, kjo me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit të Kryeziut që i njëjtit të tërhiqet nga prona të cilën ky i fundit e kishte privatizuar nga AKP me sipërfaqe prej 91 hektarësh.

Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale – detyrim  i mbetur në tentativë.

Në vitin 2018, emisioni “Drejtësia në Kosovë“ ka transmetuar rrëfimin e Artan Avdullahut, i cili ka treguar se kujt i ka vendosur bomba, ku ishte stërvitur për montimin e bombave dhe kush kanë qenë urdhërdhënësit.

Në emision janë përfshirë edhe deklaratat e viktimave dhe të dyshuarve.

LINK