Dështon seanca ndaj të akuzuarit për sulm ndaj zyrtarëve policorë

Ka dështuar të mbahet seanca e cila është në rigjykim ndaj të akuzuarit Jeton Kurda, sot më datë 07.08.2024 në Gjykatën e Prishtinës. I njëjti akuzohet për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë.

Gjyqtari i vetëm gjykues Sabit Sadikaj bëri të ditur se në seancë mungon i akuzuari Jeton Kurda, pasi që i njejti gjendet në paraburgim për një çështje tjetër penale.

Në seancë ka munguar edhe i dëmtuari Blerim Tahiri, ndërsa prezent në seancë ka qenë prokurori i shtetit Rahim Podvorica.

Seanca e sotme nuk është mbajtur, dhe e njëjta është shtyrë për datë tjetër.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar nga akuza Jeton Kurdën me aktgjykimin e datës 29.09.2022. Kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, dhe shkeljeve të dispozitave të Ligjit Penal.

Gjykata e Apelit më datë 30.04.2024 e kishte aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe kishte kthyer këtë çështje penale në rigjykim.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së datës 07.02.2022 i pandehuri Jeton Kurda akuzohet se me datë 06.12.2020, rreth orës 17:00 në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, pasi që zyrtarët policorë Ali Berisha dhe Blerim Tahiri e kishin ndaluar për kontroll të akuzuarin dhe ishin duke i shqiptuar tiketë për kundërvajtje, i pandehuri ka filluar t’i ofendoj dhe pastaj të kanosë me fjalë të dëmtuarin Ali Berisha.

Sipas dosjes së prokurorisë derisa zyrtarët i vendosin prangat pas fjalëve ofenduese, deh pasi i akuzuari e sulmon të dëmtuarin Ali Berisha duke e goditur me grusht në kokë, por pa lëndime trupore.

Sipas aktakuzës i pandehuri Jeton Kurda po akuzohet për “Sulm ndaj personit zyrtar”.