Dështon seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim në prokurim në Drenas

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Liman Buzuku, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim në Komunën e Drenasit.

Arsyeja pse ka dështuar të mbahet seanca e sotme është për shkak se ka munguar i akuzuari Liman Buzuku, për të cilin mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha e kishte njoftuar përmes një shkrese gjykatën se i njëjti nuk mund të paraqitet në gjykatë pasi gjendet në Gjermani për trajtim mjekësorë.

Po ashtu i pranishëm nuk ishte as avokati Besnik Berisha dhe prokurori Bashkim Zeqaj, mirëpo të njëjtin e kishin njoftuar paraprakisht më parë se ka një shkresë nga avokati i të akuzuarit për shtyrje.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit mars 2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Gëzim Ademi ( kryetar i trupit gjykues ) dhe dy anëtarët Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës të datës 30.12.2021, i pandehuri Liman Buzuku akuzohet se më 05.05.2021, në ora 14:00, në Komunën e Drenasit me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e drejtorit të kompanisë “MATKOS PHARMË” kishte ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.

“Referenca nga “Shemo”, e datës 15.11.2020, të cilët kanë rezultuar që janë të falsifikuar, ku kjo kompani është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68,938,50 euro, mirëpo gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit se lidhur me këtë aktivitet të prokurimit operatori ekonomik “MATKOS PHARMË”, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar, ku pas verifikimit të tyre rezulton se janë falsifikuar, ku më pas është bërë edhe anulimi i tenderit”– thuhet në dosjen e Prokurorisë.