Dështon seanca ndaj rojës së pyllit, i akuzuar për ryshfet

 

Sabri Miftari, rojtar i pyllit në territorin e Komunës së Vitisë ka dalur sot para gjykatësit për t`u përballur me akuzat për marrje ryshfeti, por që seanca ndaj tij dështoj të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës se sotme ishte prapë mungesa e dëshmitarëve Besim Ukaj dhe Reshat Bajrami.

Kryetari i trupi gjykues Islam Thaqi tha se nuk ka kushte për seancën e sotme gjyqësore.

“Për shkak të mos prezencës së dëshmitarëve në seancën e sotme prapë nuk ka kushte që seanca të filloj. Nga Policia jemi njoftuar se dëshmitarët Ukaj dhe Bajrami janë të pa arritshëm në adresat e tyre. Ndaj tyre do të përsëritet urdhëresa për sjellje me dhunë”, tha gjykatësi Thaqi.

Sipas Prokurorisë, Sabri Miftari akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti, kurse Reshat Bajrami akuzohej për veprën penale dhënie ryshfeti.

Sipas aktakuzës Sabri Miftari, duke qenë në pozitën e zyrtarit-rojtarit të pyllit pranë Drejtorisë për Pylltari në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga i akuzuari tjetër Reshat Bajrami, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim më detyrën e tij zyrtare, e ka lejuar Reshat Bajramin, që në mënyrë të kundërligjshme të marrë dru në pyllin e pronës shoqërore.

Tutje sipas aktakuzës, në vitin 2013, në kohë dhe datë të papërcaktuar, i akuzuari Sabri Miftari ka pranuar shumën prej 60 euro nga Reshat Bajrami, kurse në vitin 2014 ka pranuar shumën prej 100 euro, dhe gjatë vitit 2019, ka pranuar shumën prej 50 euro përmes Besim Ukës, në këtë mënyrë i akuzuari Sabri Miftari e kishte lejuar Reshat Bajramin që të marr dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë të kundërligjshme-pa pagesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reshat Bajrami,  i ka dhënë para të akuzuarit Sabri Miftari, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim më detyrën e tij zyrtare, duke i lejuar Bajramit marrjet e druve në mënyrë të kundërligjshme.

Kujtojmë se i akuzuari për dhënie ryshfeti, Reshat Bajrami, në seancën e 5 dhjetorit 2018, e kishte  pranuar fajësinë dhe më 10 dhjetor 2018, ai ishte dënuar me tre muaj burgim me kusht, me afat verifikimi prej dy vjetësh, kurse ndaj Sabri Miftarit, ishte veçuar procedura.

Seancat në këtë çështje kan dështuar të mbahen prej qershorit të vitit 2019. Konkretisht 24 qershor, pastaj 23 shtator, 18 nëntor 2019 dhe seanca e sotme e datës 31 janar 2020 kanë dështuar të mbahen ndaj të akuzuarit Sabri Miftari.

Seanca e sotme u shtye për datën 16 mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje:

 

Gjykimi i rojtarit të pyllit në Gjilan, një i akuzuar pranon fajësinë

.