Seanca ndaj ish-zyrtarëve të ASHNA-s, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj ish-zyrtarëve të ASHNA-s që akuzohen se dëmtuan buxhetin me 2 milionë euro

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj Driton Mehaj dhe Bahri Nuredini, ish-zyrtarë të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Seanca dështoi për shkak se i akuzuari Driton Mehaj, nuk ishte i pranishëm në seancë pasi ndodhet në Afganistan me një kontratë pune.

Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi tha se i akuzuari Driton Mehaj ka qenë i ftuar në seancë dhe se nuk e ka arsyetuar mungesën. Ndërsa mbrojtësi i tij, Ilir Rashiti tha se Mehaj ndodhet në Afganistan sepse ka lidhur kontratë pune dhe se “6 javë qëndron atje dhe 2 javë vjen në Kosovë”.

“A ka rrethana objektive që e lejojnë? S’ka prova duhet me ardhë në gjykim. Kush jep përgjegjësi për këto 3 seanca që ishin planifikuar të mbaheshin 3 ditë radhazi?” – tha kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

Avokati mbrojtës i Mehajt, Ilir Rashiti u arsyetua me faktin se Kodi i ri i Procedurës Penale po e lejon gjykimin në mungesë.

Në seancë u tha e edhe i dëmtuari Arben Krasniqi, si përfaqësues i ASHNA-s nuk ia ka arsyetuar mungesën e tij gjykatës.

Sot ishin caktuar edhe që dëshmitarët Avdi Smajli, Besnik Krasniqi, Ersen Shileku, Bekim Jashari dhe Bislim Zogaj të japin dëshminë e tyre por vetëm dëshmitari Besnik Krasniqi ishte prezent.

Për shkak të rrjedhës së procedurës u caktua seanca e radhës më 17 korri, ku u tha se do të vendoset se a do të veçohet procedura apo do të vazhdohet me gjykim në mungesë.

Në muajin maj të vitit 2022, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Bahri Nuredinit në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në ASHNA.

Nuredini dhe Mehaj akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik ‘TCN International Sh.P.K.’ nga Tirana që të fitojë tenderin në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë sipas Prokurorisë Speciale, Nuredini dhe Mehaj i kanë shkaktuar dëm buxhetit të ASHNA-s dhe buxhetit publik në vlerë prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Nuredinit mandati si drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror i ka përfunduar në qershor të vitit të vitit 2022.

Në vitin 2018, “Jeta në Kosovë” pati publikuar një seri të emisioneve hulumtuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me titullin “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar” në lidhje me keqpërdorimet.

Emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e aeroportit nga kompania Limak, i dyti për sigurinë e këtij aeroporti, ndërsa në emisionin e tretë ka qenë prezent vetë Bahri Nuredini, i cili u përgjigj për të gjitha raportimet dhe gjetjet e dy emisioneve paraprake të fokusuara në Aeroportin e Prishtinës dhe ASHNA dhe punësimet aty. Ndërsa në emisionin e katërt ishte i pranishëm drejtori i Limakut për t’u përgjigjur akuzave.
Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK.