Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj ish-inspektorit të ATK-së Nehat Zeqa

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarëve-dëshmitarëve Skënder Krasniqi dhe Avdush Gashi dhe dëshmitarit Ismet Krasniqi të cilët përkundrazi ishin ftuar me rregull mungesën nuk e kishin  arsyetuar.

Ndërsa të pranishëm ishin prokurorja e rastit Besa Limani, të akuzuarit  Nehat Zeqa dhe Fisnik Sejdiu si dhe mbrojtësit e tyre.

Prokuroria që nga 30 gushti i vitit 2013 ngarkon Nehat Zeqën dhe Fisnik Sejdiun me 5 pika të aktakuzës me pretendimin se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Nehat Zeqa në cilësinë e inspektorit të ATK-së me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i kishte propozuar të dëmtuarëve  që për kryerjen e shërbimeve tatimore të merrnin kontabilistin Fisnik Sejdiun i cili në emër të obligimeve tatimore nga i dëmtuari Skënder Krasniqi i kishte kërkuar shumën në lartësi prej 11,900.00 euro.

Në mënyrë të njëjtë kishin vepruar edhe ndaj të dëmtuarit Shefqet Gashi, i cili në emër të obligimeve tatimore i kishte dhënë të akuzuarve 22,870.00 euro.

Sipas pikës tre të kësaj aktakuze të dëmtuarit Milot Miftari në emër të obligimeve tatimore kishte paguar 4000 euro.

Tutje i dëmtuari Shefqet Avdija në emër të obligimeve tatimore kishte paguar 2500 euro.

Sipas pikës së fundit të kësaj aktakuze i dëmtuari Jakup Tahiri kishte paguar në emër të shpenzimeve tatimore shumën prej 6000 euro.

Prokuroria përveç dënimit kryesor kishte kërkuar nga gjykata që të akuzuarit Nehat Zeqa  t’i shqiptonte dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratën publike ndërsa të akuzuarit Sejdiu ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës.

Për të dëmtuarit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës në këtë çështje penale u shtye për datën 15 tetor ora 13:10.