Dështon seanca ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë

Seanca kundër Demë Dashit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Pejës.

Mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokatit Isa Osdautaj, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore.

Sipas të akuzuarit Dashi, mbrojtësi i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës ai ju ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm personave Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadërgjonaj, Rexhë Zeka, Sali Qelaj.

Seanca e radhës është shtyre për datën 16.09.2019 në ora 10.