Dështon seanca ndaj ish-drejtorit të bankës 'NLB'

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Ismajl Rudari, ish-drejtorit të ekspoziturës së bankës NLB, i akuzuar nga prokuroria për përvetësim në detyrë në shumën prej 305,420.71 euro.

Shkak i dështimit të seancës së sotshme ishte mosprezenca e Av. Naser Sopjani – mbrojtës i të akuzuarit.

I njëjti ka njoftuar Gjykatën se në këtë datë duhet të jetë i pranishëm në një seancë tjetër në Gjykatën e Prishtinë, e cila ishte e caktuar para se të caktohej seanca e ish-drejtorit Rudari.

Sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së bankës NLB Sh.a. – Prishtinë, (ish Kasabanka KSB) dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro.

Në seancë ishte i pranishëm edhe eksperti financiar Xhevdet Abazi, i obliguar nga Gjykata për plotësim të ekspertizës financiare, mirëpo në mungesë të kushteve ligjore u pamundësua konstatimi i këtyre plotësimeve në seancën e sotme.

Seanca e sotme u shtye, ndërkaq seanca e radhës u caktua me 04.02.2020, në ora 13:30.