Ilustrim

Dështon seanca ndaj Grupit të Kqirajve, prokurori i rastit nuk ishte prezent në gjykatë

Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Marjan Kqira, Gjon Kqira dhe Benson Buza, të akuzuar për shpëlarje parash, sot më datë 20.08.2024 janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani njoftoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të vazhduar mbajtjen e seancës.

Ai bëri të ditur se nuk ishte prezentë përfaqësuesi nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe se i njëjti kishte kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Aktakuza ndaj këtij grupi ishte ngritur nga prokuroria Merita Bina Rugova.

Andaj, gjyqtari Sejrani mori vendim që seanca të shtyhet më datën 07.10.2024.

Të akuzuarit pretendohet se duke e ditur se të hollat e tyre burojnë nga aktivitetet kriminale si në dispozitivin e aktakuzës për veprat penale ‘’Krim i organizuar’’  lidhur me veprën penale ‘’Detyrimi’’ ndërsa nga viti 2013 edhe në lidhje me veprën ‘’Fajdeja’’.

Sipas prokurorisë, sa i përket të pandehurve Tunë Kqira dhe Gjon Kqira edhe nga aktivitetet e përshkuara në dispozitivin nën katër (ku të njëjtit janë akuzuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit), dhe janë të fituara me kryerjen e veprave të lartcekura, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të tyre, të njëjtat i kanë përzier me parat e fituara në mënyrë të ligjshme dhe pastaj i kanë integruar në sistemin financiar shtetëror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datën 15.07.2010, të pandehurit Tunë Kqira, Gjergj Kqira dhe Marjan Kqira, e kanë blerë ngastrën kadastrale me sipërfaqe prej 427 m2, me çmim prej 420,000 €, ashtu që këtë shumë e kanë paguar në dorë me para të gatshme.

Sipas prokurorisë, rreth 2 vite më vonë, këtë pronë Gjergj Kqira ( babai i tyre dhe blerësi i ngastrës së cekur më lartë), kinse ia ka falur të pandehurit Kastriot Kqira.

Prokurorisë në dosjen e saj thotë se i pandehuri Tunë Kqira, bizneset ligjore ”2000-P” të regjistruar nga viti 2009, ndërsa Motel Shadervan nga viti 2012, prej të njëjtave e ka fituar shumën e përngjitmë prej 143,718 €.

Sipas prokurorisë, me kryerjen e veprave të lartcekura penale e ka fituar pasurinë në vlerë prej 1,077,950 €, ashtu që të njëjtën e ka konvertuar në pasuri në emër të tij në ngastra kadastrale dhe me dy vetura të tipit Renault dhe Audi Q7.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Kastriot Kqira bizneset ligjore “Seba 1” dhe “Kristal Club” të regjistruara nga viti 2011 dhe nga atëherë prej të njëjtave e ka fituar shumën e përgjithshme nga 65,823€.

Sipas prokurorisë, me kryerjen e veprave penale të lartcekura e ka fituar pasurinë prej 378,185 € dhe të njëjtën e ka konvertuar në pasuri në emër të tij në ngastër kadastrale, banesë dhe automjetet e tipit ‘’Mercedes’’ dhe ‘’Porsche Cayenne’’.

I pandehuri Benson Buza, sipas prokurorisë, në biznesin ligjor ‘’Belinda’’ të regjistruar nga viti 2003 dhe nga atëherë prej të njëjtit e ka fituar shumën nga 77,096 €.

Ai akuzohet nga prokuroria se me kryerjen e veprave të lartcekura e ka fituar pasurinë prej 376,100€, duke e konvertuar në pasuri  të vetën, dy ngastra kadastrale dhe automjet të tipit Golf 5.

I pandehuri Marjan Kqira me biznesin e regjistruar “K-2”, nga viti 2000 dhe që është marrë me bujqësi dhe blegtori, sipas prokurorisë ka fituar pasurinë në vlerë prej 103,095 €.

Ndërsa sipas prokurorisë, me kryerjen e veprave penale të lartcekura ka fituar pasurinë në vlerë prej 254,100 €, duke e konvertuar në pasuri të veten, si ngastra kadastrale.

Ndërsa i pandehuri Gjon Kqira, sipas prokurorisë biznesin ligjor “Paradiso-Gj” e ka të regjistruar në vitin 2006 dhe nga atëherë e ka fituar shumën prej 30,643.30 euro.

Prokuroria e akuzon Gjon Kqirën se me kryerjen e veprave penale të lartcekura ka fituar pasurinë prej 1,327,720 € duke i konvertuar në emër të tij në ngastra kadastrale.

Të pandehurit, secili veç e veç pretendohet se kanë kryer veprën penale, shpëlarja e parave.