Dështon seanca ndaj dy zyrtarëve të akuzuar të Gjykatës së Prishtinës
Deli Halili dhe Ismajl Ismajli, janë dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës, ndaj të cilëve sot më datë 19.09.2024 ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën e Prizrenit.
Kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha bëri të ditur seanca e sotme nuk do të mbahet, si shkak i mosprezencës së prokurorit Genc Nixha.
Gjyqtarja Krusha njoftoi se mosprezencën e tij e ka arsyetuar përmes parashtresës me shkrim, ku thuhet se i njëjti është në pushim vjetor.
Kështu, gjyqtarja bëri të ditur se seanca e radhës është caktuar të mbahet më datë 30.09.2024.
Aktakuza ndaj të pandehurit Deli Halili dhe të pandehurit Ismajl Ismajli është ngritur më datë 26.07.2024 nga prokurori Genc Nixha.
I pandehuri Deli Halili në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Zyrën për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Gjykatën e Prishtinës, dhe i pandehuri Ismajl Ismajli në cilësinë e referentit, po në Zyrën për Ekzekutimin e Sanksioneve, dyshohen se kanë shfrytëzuar pozitat e tyre duke i fshehur urdhëresat e Gjykatës, të cilat kanë pasur për obligim t’i dorëzonin për ekzekutim të sanksioneve penale të shqiptuara.
Sipas Prokurorisë, mosdorëzimi është bërë me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, ku i kanë mundësuar të dënuarve t’i shmangen mbajtjes së dënimit, ose sanksioneve me gjobë që u janë shqiptuar.
Ata dyshohen se keqpërdorimin e pozitës zyrtare e kanë bërë në bashkëkryerje nga 4 prilli i vitit 2022 – deri më 26 janar të këtij viti.
Urdhëresat e gjykatës për sanksionet, ishin fshehur prej 9 lëndëve që kanë pasur për detyrë t’i dorëzonin.
Me këto veprime, Prokuroria thotë se i është shkaktuar dëm sistemit gjyqësor të vendit.
Këso dore në bashkëkryerje pretendohet se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.