Dështon seanca ndaj dy ish zyrtarëve të Komunës së Prizrenit të akuzuar për keqpërdorim detyre

Të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi, sot më datë 13.06.2024, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë.

Të pandehurit e lartcekur po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.

Në seancën e sotme nuk ishte prezent mbrojtësi i të akuzuarit Arben Krasniqi, avokati Driton Shehu, me ç’rast Gjykata konstatoi se i njëjti me anë të parashtresës me shkrim të datës 11.09.2024 ka njoftuar gjykatën se për obligime familjare është në udhëtim jashtë vendit, e si pasojë e mungesës nuk u plotësuan kushtet ligjore për të mbajtur seancën.

Gjykata potencoi edhe mos prezencën e vlerësuesit Aderim Musliu.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datën 16.09.2024.

Kujtojmë që sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Arben Krasniqi ish-udhëheqës i sektorit ligjor të Komunës së Prizrenit dhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi,  ish-përfaqësues ligjor i kësaj Komune pretendohet ta kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

Aktakuza thotë se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V. J., për rregullimin e mezhdave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit dhe në këtë rast ngastra kadastrale – pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale – pronë e propozuesit V. J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin  në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V. J., pajiset me leje ndërtimore dhe i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin mund t`i gjeni në këtë LINK.