Mitrovicë - Gjykimi ndaj të akuzuarve për kontrabandim me produkte kozmetike, 15.06.2020

Dështon seanca ndaj doganierëve të akuzuar për kontrabandë me produkte kozmetike

 

Në gjykatën e Mitrovicës përsëri ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj doganierit Marko Mlladenoviq dhe ish-doganierit Bekim Gashi

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Kurse Mlladenoviq dhe Gashi të dy doganier, respektivisht ish-doganier, njëri serb e tjetri shqiptar po përballen me një akuzë për shkak se toleruan kontrabandën në veriun e Kosovës gjatë vitit 2014-të.

Doganieri Marko Mlladenoviq dhe ish-doganieri Bekim Gashi akuzohen se nuk kanë zhdoganuar një kamion me mallra kozmetike, si brisqe të rrojës, detergjent dhe pelena për bebe.

Sipas aktakuzës dëmi nga ky mos zhdoganim për buxhetin e Kosovës është në vlerë prej 12,622.00 euro.
Me këtë në bashkëkryerje akuzohen se në shtator të vitit 2014 kanë kryer veprën penale të shmangies nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Ndërsa sot seanca ndaj tyre nuk ka arritur të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Filip Filipoviq për të cilin siç ka njoftuar gjykatësi Bekim Veliqi, gjykata ka pranuar një raport mjekësor në emër të këtij të pandehuri të lëshuar nga qendra shëndetësore në Rrashkë – Serbi sipas së cilit dokumentacion rezulton se për shkak të problemeve shëndetësore i akuzuari Filipoviq nuk ka mundur të vije në seancë.

Po ashtu në seancë e sotme nuk ka prezantuar as i pandehuri Milan Stojanoviq  për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë ndërsa nuk ka pranuar ndonjë raport për zbatimin e kësaj urdhërese ka njoftuar palët kryetari i trupit gjykues Bekim Veliqi.

Në seanca kanë qenë prezent prokurori Njazi Rexha, i pandehuri Marko Mlladenoviq me avokatin Avdi Dinaj, i pandehuri Bekim Gashi me avokatin Ramë Gashi.

Kurse anëtarët e trupit gjykues gjyqtarët Fatos Sejdiu dhe Izet Gërguri ishin njoftuar paraprakisht për mundësit e mos mbajtjes së seancës, andaj edhe nuk kanë prezantuar në seancë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar 14 korrik, në gjykatën e Mitrovicës.