Graçanica (Ilustrim)

Dështon seanca ndaj depoistit të komunës së Graçanicës për vjedhje të pajisjeve medicinale

Sllagjan Trajkoviq, depoist i Komunës së Graçanicës, ka qenë dashur të dalë sot para gjykatës në Prishtinë për t’u përgjigjur në akuzat e prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por mungesa e tij bëri që seanca e sotme të mos mbahet.

Po ashtu në seancën e sotme mungoi edhe avokati Ramë Gashi, mbrojtës i të akuzuarit Trajkoviq  i cili më 11 qershor i kishte dërguar gjykatës shkresë me të cilën kishte kërkuar që të shtyhet gjykimi për shkak se në këtë kohë e kishte të caktuar një seancë në Gjykatën e Mitrovicës.

Prokuroria thotë se Sllagjan Trajkoviq nga muaji dhjetor i viti 2013 e deri më 13 tetor 2014, duke qenë në cilësinë e depoistit kryesor në  depon e Komunës së Graçanicës e cila ndodhet në Llapnasellë, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë pajisje medicinale, ventilatorë dhe barëra.

Me këtë veprim, prokuroria e akuzon Trajkoviqin t’i ketë shkaktuar dëm Komunës së Graçanicës në vlerë prej 58,021 euro.

Seanca e radhës u caktua për 10 korrik.