Gjykimi ndaj Aziz Tafjat - 01.11.2019

Dështon seanca ndaj biznesmenit Aziz Tafaj, i akuzuar për mashtrim me miliona euro

Seanca ndaj biznesmenit Aziz Tafaj, i akuzuar për përvetësimin e milionave eurove ka dështuar të mbahet sot.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e prokurores së rastit Merrushe Llugiqi, e cila erdhi 5 minuta para se trupi gjykues të largohej nga salla e gjykimit.

Gjithashtu mungoi edhe mbrojtësja e të akuzuarit Aziz Tafaj, avokatja Shpresa Rexhepi e cila mungesën nuk e kishte arsyetuar dhe nuk kishte dërguar zëvendësim.

Pasi erdhi prokurorja, i akuzuari Aziz Tafaj deklaroi se: “Në procesin gjyqësor që po zgjat tashmë 10 vite mendoj që duhet me qenë prezent edhe avokatja ime kur të merrem në pyetje”.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore seanca e radhës u caktua për datën 15 nëntor.

Biznesmeni Aziz Tafaj, ka tetë vite që akuzohet për përvetësimin e 2,270,524.00 eurove.

Sipas Prokurorisë, Aziz Tafaj ngarkohet se kishte shpërdorur pozitën zyrtare ose autorizimin që kishte në cilësinë e drejtorit të firmës ‘Imobiliare  Friuli’  dhe se që nga korriku i 2007-ës e deri në janar të 2010-ës, iu kishte shkaktuar dëme aksionarëve të tjerë të kësaj shoqërie, me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore për veti.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Tafaj, aksionarëve të kësaj shoqërie ju kishte paraqitur në mënyrë të rreme çmime të fryra  të palujtshmërive.

“Për ndërrimin e një palujtshmërie në Prishtinë, vlera reale e së cilës ishte 200,000.00 euro në bilancin e shoqërisë e ka prezantuar në shumë prej 645,000.00 euro. Palujtshmërinë në Matiqan vlera e së cilës ishte 200,000.00 euro e kishte prezantuar në shumë prej 547,500.00 euro dhe për palujtshmërinë tjetër vlera e së cilës ishte 274,176.00 e kishte paraqitur në vlerë prej 728,000.00 euro. Palujtshmërinë në fshatin Suhodoll vlera e së cilës ishte 9,800.00 euro e kishte prezantuar ne vlerë prej 900,000.00 euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.