Dështon seanca ndaj avokatit të akuzuar se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar tek tre gjyqtarë

Ka dështuar të mbahet seanca e sotme (17.01.2025) ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari.

Jashari nga prokuroria po akuzohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se ka munguar i akuzuari Hamdi Jashari për të cilin mbrojtësi i tij avokati Shemsedin Piraj bëri të ditur se nuk ka njohuri për mos ardhjen e tij.

Po ashtu të pranishëm nuk ishin as i dëmtuari Eljmi Ajruli dhe Veli Kryeziu.

Pasi nuk kishte kushte, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Naser Foniqi- kryetar i trupit gjykues, anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfullah.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bashkim Zeqaj.

Kujtojmë se në seancën e datës 23.01.2024 i akuzuari Hamdi Jashari ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzave që rëndojnë për të.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore prej 25 maj deri në 2 qershor të vitit 2022.

Jashari, sipas aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A. A. për të cilin ka pasur kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.

Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim të ia jap kolegjit të gjyqtarëve të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A. A. në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit, sipas Prokurorisë, ka qenë ushtrimi i ndikimit në mënyrë që kërkesa për ekstradim të refuzohej.

Sipas aktakuzës ky kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit, Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.

Hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.

Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori, shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore për të cilat A. A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.

Ndërkaq, i akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.

Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” e sanksionuar me nenin 424 të legjislacionit penal në fuqi.

Sipas Kodit Penal, kushdo që dënohet për vepër të tillë mund të dënohet prej gjashtë muaj deri në tetë vjet.