Dështon seanca ndaj Asdren Mekajt, i akuzuar për detyrim

Në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit Asdren Mekaj i cili nga Prokuroria Speciale po  akuzohet për veprën penale të detyrimit.

Shkak i shtyrjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit Mekaj dhe avokatit të tij, Besnik Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, ka konstatuar se Asdren Mekaj përmes emailit ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancën e sotme për shkaqe personale.

Për përfaqësuesen e prokurorisë speciale Merita Bina – Rugova, kjo shtyrje e vazhdueshme e seancave ka për qëllim zvarritjen e gjithë gjykimit.

“Në janar të vitit 2022, bëhen plotë katër vite që nga fillimi i këtij procesi, Kodi penal i Kosovës parasheh që procedura duhet të zbatohet pa zvarritje dhe duhet të pengohet çdo keqpërdorim i të drejtave që i përkasin pjesëmarrësve në procedurë”, tha prokurorja Bina- Rugova.

Tutje, ajo konsideroi se ndaj të dëmtuarit Pal Gruda në masë të madhe i janë shkelur të drejtat e tij i cili që 4 vite po merret në pyetje në këtë gjykim.

“Kam kërkuar edhe më herët, por përsëri po kërkoj që gjykata të dënoj palën e cila në mënyrë të vazhdueshme po e zvarritë këtë procedurë. Javën e ardhshme bëhet hera e tretë që gjykimi dhe marrja në pyetje e të dëmtuarit nisë nga fillimi”, deklaroi prokurorja.

Deklarimin e prokurores e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj, i cili tha se qëllimi i të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij është shmangia e përgjegjësisë penale e që duke zgjedhur këtë formë të zvarritjes së procesit po tenton që të arrihet parashkrimi i veprës penale.

“Lus kryetaren e trupit gjykues që të mos lejojë palën e akuzuar që me mos seriozitet të mundësojë shtyrjen e seancave pa arsye dhe pa prova”, shtoi avokati Qelaj.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shtye për 4 tetor 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur, që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.

Më tutje aktakuza e Prokurorisë pretendon se në këtë mënyrë i pandehuri Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Kujtojmë se Asdren Mekaj më 20 maj 2019 ishte shpallur fajtor për veprën penale të shantazhit dhe ishte dënuar me 14 muaj burgim.

Djali i gjykatëses dënohet me burgim për shantazh

Ndërsa, më 27 dhjetor 2019, Apeli e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

I pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit, kishte parashtruar mjetin e jashtëzakonshëm juridik – kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Me këtë rast, Supremja kishte aprovuar kërkesën e Berishës dhe kishte anuluar dy aktgjykimet e mëparshme duke e kthyer rastin në pikën zero apo në rigjykim.

Asdren Mekaj, ndaj të cilit po zhvillohet procesi, është djali i gjyqtares së krimeve të rënda, Nushe Mekaj dhe kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, saktësisht nipi i tij.