Dështon seanca ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar
Seanca ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar, shmangie nga tarifat doganore, kontrabandim me mallra dhe vepra të ngjashme ka dështuar të mbahet të premten më 12.07.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Dështimi i kësaj seance gjyqësore erdhi shkaku se nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e saj.
I akuzuari Agron Zymberi nuk ishte i pranishëm në këtë seancë për të cilin djali tij dorëzoi një raport mjekësor për të arsyetuar mungesën e tij.
Po ashtu në seancë nuk ishte edhe mbrojtësi i të pandehurit Agron Zymberi, avokati Skender Musa.
Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm as i pandehuri Ali Musliukaj.
I akuzuari Xhevat Spahija po ashtu mungoi për shkak të problemeve shëndetësore.
Në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as i akuzuari Besnik Istrefi për të cilin edhe mbrojtësi i tij avokati Imer Ahmetaj nuk ishte në dijeni.
“Prej vitit 2018 nuk kam kontakt me të”- tha avokati Imer Ahmetaj, mbrojtësi i të pandehurit Besnik Istrefi.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se për të akuzuarin Besnik Istrefi gjykata kishte lëshuar urdhëresë apo shoqërim për sjelljen e tij në këtë seancë, mirëpo sipas informimit zyrtar nga Policia e Kosovës rezulton se i njëjti ishte larguar rreth 5 – 6 muaj dhe ishte jashtë vendit dhe gjendet në Gjermani.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special në përbërje nga trupi gjykues Ngadhnjim Arrni – kryetar i trupit gjykues dhe dy anëtarët Valon Kurtaj dhe Kushtrim Shyti.
Kryetari i trupit gjykues paralajmëroi të gjithë të pranishmit se në rast se mungojnë dhe mungesën e tyre nuk e arsyetojnë gjykata do të ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e të pandehurit në procedurë duke mos e përjashtuar edhe caktimin e paraburgimit ndaj gjithë secilit që e pengon rrjedhën e procedurës.
Ky rast më parë gjykohej në Gjykatën e Mitrovicës, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.
Dosja e Prokurorisë Speciale
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Agron Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Besnik Istrefi, Azem Islami, Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri, Fadil Qollaku.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Zeqiri, së bashku me të pandehurit Millan Radisavleviq dhe Aleksandar Rakiçeviq (gjenden në arrati sipas aktakuzës ) kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.
Prokuroria i akuzon të lartcekurit se në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara.
Periudha kohore për të cilën Prokuroria i akuzon te lartcekurit theksohet të jetë nga data 11.06.2014 deri me datë 10.12.2014.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë pjesëtarët e grupit kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12,000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10,000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7,000 litra).
Mallrat e lartcekura, sipas organit akuzues, ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 30,000 euro.
Sipas Prokurorisë këto mallra të kontrabanduara të sjella në Kosovë janë deponuar në lokacione të caktuara për t’u bërë më vonë shpërndarja e këtyre mallrave në tërë Kosovën.
Tutje sipas aktakuzës dorëzimin e mallrave e kanë bërë vartësit e të pandehurve Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqiri, Liridon Hyseni, Ali Musliukaj, Ridvan Avdiu, Canabeg Hyseni, Dukagjin Latifi dhe Gentrit Zymeri.
Me këtë Prokuroria për këto veprime të pandehurve i akuzon Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Millan Radisavleviq dhe Aleksdanar Radisavleviq (dy të fundit gjenden në arrati) kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa të pandehurit Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.