Dështon seanca gjyqësore për rastin ‘Stenta 2’

Në mungesë të avokatit të të akuzuarit Nexhmi Zeqiri dhe Murat Abazi, ka dështuar të mbahet seanca e radhës në rastin “Stenta 2”,

Në rastin ‘Stenta 2’ të akuzuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar janë: Murat Abazi, Ferid Susuri, Perihane Sefa, Masar Gashi, Elfedin Muhaxheri dhe Nexhmi Zeqiri.

Fillimisht të akuzuar në këtë rast penal kanë qenë 45 persona, por ndaj të akuzuarve të lartë cekur për shkaqe të ndryshme ishte veçuar procedura.

I akuzuari Nexhmi Zeqiri në seancën e sotme i propozoi Gjykatës që ta bëjë shtyrjen e seancës gjyqësore, pasi që nuk ishte prezent avokati i tij Besnik Berisha, i cili ndodhet në udhëtim zyrtar dhe se nuk ka njohuri se kur do të kthehet.

Ndërsa i akuzuari Murat Abazi kërkoi nga Gjykata që t’i sigurojë mbrojtje, pasi që i njëjti nuk është në gjendje që te sigurojë mbrojtjen sipas autorizimit.

Gjykata mori aktvendim refuzues për dy kërkesat e të akuzuarve.

Sipas Gjykatës i akuzuari Nexhmi Zeqiri ka pasur kohë të mjaftueshme për ta njoftuar mbrojtësin e tij për datat dhe kohën e shtyrjes së seancave gjyqësore.

Tutje kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri shtoi se avokati i të akuzuarit Nexhmi Zeqiri, avokati Besnik Berisha nuk ka marr pjesë ne asnjë seancë tjetër përveçse në seancën fillestare.

Ndërsa sa i përket kërkesës së të akuzuarit Murat Abazi, Gjykata refuzoi sigurimin e mbrojtjes sipas detyrës zyrtare pasi që në këtë çështje penale, mbrojtja nuk është obligative.

Gjykata ftoi të akuzuarin Nexhmi Zeqiri për paraqitjen e mbrojtjes së tij në seancë por ai deklaroi se nuk mundet të vazhdoj seancën pa qenë prezent avokati i tij sepse ky është rekomandimi i avokatit të tij.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues nëse dëshiron që ta paraqes mbrojtjen, i akuzuari deklaroi “Pa prezencën e avokatit jo, me prezencën e avokatit po”, tha Zeqiri.

Trupi gjykues mori aktvendim për shtyrjen e seancës për datën 15 shtator 2021, në ora 09:30.

Në rastin e njohur si “Stenta”, fillimisht në një proces gjyqësor të akuzuar kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë qysh në shqyrtimin fillestar.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e rastit “Stenta 2”, Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar në atë mënyrë që duke i kontrolluar pacientët i kishin udhëzuar të njëjtit të shkonin në spitalin privat IMH ose EDA, ku për çdo pacient që dërgonin për vendosje të stendave merrnin nga 500 Euro, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 Euro.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ‘Stenta 2″ mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK