Dështon seanca gjyqësore ndaj shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti

Seanca gjyqësore ndaj Kadri Ismajlit, i cili nga Prokuroria po akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Kadri Ismajli gjatë viteve 2016 dhe 2017 në Viti, në Hapësirat e Ekonomisë së Pyjeve, në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke qenë në pozitën e Shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti i ka shitur drunjtë të cilët Ekonomia e Pyjeve në Viti i kishte lajmëruar si të vjedhura në Stacionin Policor në Viti.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e Prokurorit të shtetit Isuf Sadiku, i cili ishte në përfaqësim të një akuze tjetër në Gjykatën e Pejës.

Se nuk do të mbahet seanca e sotme për Kallxo.com e konfirmoi gjykatësi i kësaj çështje Islam Thaqi.

“Prokurori e ka njoftuar Gjykatën me anë të një parashtrese për mungesën e tij në seancën që është dashur të mbahet sot”, ka thënë Thaqi.

Kujtojmë se edhe seanca e datës 04 nëntor në këtë çështje nuk ishte mbajtur.

Dështon seanca për shitjen e masës drurore të lajmëruara të vjedhura në Polici

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shtye për muajin mars.

Kujtojmë se kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 18.09.2019, ku ishte konstatuar se Aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale.