Dështon seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit Muzeut të Kosovës

Shtyhet gjykimi ku i akuzuar është ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj.  Boshtrakaj, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykimi i sotëm dështoi të mbahet për arsye të mungesës së anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Elife Ukaj, e cila për shkaqe shëndetësore e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancë.

Kështu, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja e Alltëne Murseli, vendosi në mënyrë që të mos zvarritet lënda duke iu ndërruar trupi gjykues, seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Seanca e radhës, ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve, do të mbahet me datë 15 prill.

Sipas aktakuzës Skënder Boshtrakaj, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i Muzeut të Kosovës, me dashje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “TIKI” SH.P.K, e cila gjendet në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik në Kosovës, ka anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit, ku me kompaninë e lartcekur ka lidhur kontrata për furnizim në shumë prej 208,894.00 euro.

Gjithashtu në aktakuzë, thuhet se me datën 2 shkurt 2018, ka nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 39,706.00 euro dhe me datën 23 prill 2018, ka nënshkruar kontratën për furnizim në shumë prej 20,840.00 euro, me vlerë totale prej 269,444.00 euro, me ç’rast buxhetit të të dëmtuarës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka shkaktuar dëme në shumën e lartë cekur, thuhet në aktakuzë.