Foto: KALLXO.com

Dështon seanca e gjykimit ndaj ish-zyrtarëve policorë

Seanca e paraparë të mbahej në Gjykatën e Mitrovicës kundër katër ish-zyrtarëve policorë dhe të tjerëve ka dështuar.

Arsye e mosmbajtjes së seancës ishte mungesa e të akuzuarit Ukë Atashi.

Gjykatësi i rastit, Avni Mehmeti, ka deklaruar se i akuzuari Atashi ishte prezent në seancën e mbajtur më 5 korrik të këtij viti kur është ishte komunikuar data, koha dhe vendi për mbajtjen e seancës, mirëpo i njëjti mungesën nuk e ka arsyetuar.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë.

Gjithashtu edhe seanca e caktuar të mbahet më 13 shtator nuk do të mbahet, sepse prokurori i rastit, Njazi Rexha, ka njoftuar Gjykatën se kishte një obligim në Këshillin Prokurorial të Kosovës andaj nuk mund të prezantonte në seancë.

Kurse seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 11 dhe 30 tetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, atëherë zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale – tregti e ndaluar. Po ashtu, Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.