Dështon për të katërtën herë seanca ndaj veteranëve të luftës, të akuzuar për dëmtimin e ndërtesës së Qeverisë

Ka dështuar sërish seanca ndaj veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Seanca e sotme është shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarve: Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Ekrem Xheladini dhe Bahti Danushi.

Po ashtu avokati i Qeverisë së Kosovës, Bedri Krasniqi, tha se nuk kanë mundur ta precizojnë vlerën e dëmit të shkaktuar.

“Pala e dëmtuar është në një procedurë të mbledhjes së fakteve, me qëllim që ta faktojë faktin lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar. Deri më tash nuk mund ta precizojmë”, theksoi avokati Krasniqi.

Mungesën e të akuzuarit Arsim Hopp e arsyetoi avokatja e tij, Zahide Gjonaj.

“I mbrojturi im Arsim Hopp mungon për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore”, tha avokatja Gjonaj.

Ajo po ashtu kërkoi nga Gjykata që të pajiset me CD, pasi që e njëjta mungonte në shkresat e lëndës dhe pastaj Gjykata ia dorëzoi CD-në avokates Gjonaj.

Për mungesën e të akuzuarit Bahti Danushi, Gjykata është njoftuar se i njëjti ndodhet në Gjermani.

Mungesën e të akuzuarit Skënder Llugiqi e arsyetoi, i akuzuari Nusret Azemi.

“I akuzuari Skënder Llugiqi mungon për arsye se… akoma është i sëmurë”, tha i akuzuari Azemi.

Ndërsa për të akuzuarin Ekrem Xheladini, i akuzuari Xhevdet Qeriqi tha se mungon për shkak se e ka harruar datën e mbajtjes së seancës.

Ai po ashtu shtoi se, ka 6 vite që kjo seancë po vazhdon të zvarritet.

“Pasi është seanca e katërt, dhe përfaqësuesi i Qeverisë deklarohet njëjtë, mua më duket një lojë politike që po bëhet ndaj nesh, po bëhen 6 vite që akuzohemi nga Qeveria dhe me na maltretu kështu. Unë kërkoj prej jush që mos me na ftu në seancë, deri sa Qeveria ta precizojë vlerën e dëmit të shkaktuar”, shtoi Qeriqi.

Gjyqtarja e rastit, Lumnije Krasniqi tha se seanca po shtyhet për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Ndërsa Gjykata vendosi që përfaqësuesi i Qeverisë, në seancën e radhës të sjellë prova lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar.

Seanca e radhës u caktua për datën 14 prill, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës, me datë 07.08.2015 rreth orës 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, të pandehurit Nusret Azemi, Driton Sadiku, Xhevdet Qeriqi, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Xhemajl Maloku, Fahri Zeqiri, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kanë dëmtuar pasurinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në atë mënyrë që fillimisht kanë dëmtuar derën lëvizëses të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme thyejnë xhamin e kabinës së portës hyrëse, dhe po ashtu dëmtojnë automjeti e tipit “Xhip” me nr. të regjistrimit 01-183-SS, që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar. Me ç’rast të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material.

Shtyhet sërish seanca ndaj veteranëve të luftës, të akuzuar për dëmtimin e ndërtesës së Qeverisë