Foto: Kallxo.com

Dështon në nisje gjykimi ndaj ish-ministrave të “Qeverisë Thaçi 2” për faljen e katër hidrocentraleve

Ndonëse sot ka qenë e paraparë që të fillonte gjykimi kundër ish-ministrave dhe 15 zyrtareve të tjerë të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës, mungesa e ish-ministrit Besim Beqaj dhe e dy të akuzuarve të tjerë e ka shtyrë fillimin e kësaj seance për një datë tjetër.

Ish-ministrat  “Qeverisë Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusari, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe 15 të tjerë po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Plotë nëntëmbëdhjetë persona po akuzohen nga prokuroria speciale në lidhje me faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.

Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Aktakuza ndaj Besim Beqajt, Mimoza Kusarit, Dardan Gashit, Nenad Rashiqit, ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka, dhe 14 personave të tjerë: F. H., F. Ç., M. R., A. N., F. K., I. I., G. J., B. B., G. Sh., N. H., A. A., B. H., K. B., dhe L. F. është ngritur nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Privatizimi i KEDS-it ishte përmbyllur më 8 maj 2013. Katër hidrocentrale dyshohet se ishin privatizuar në mënyrë tinëzare bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEK-ut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë.

Më parë ishte raportuar se hidrocentralet ishin pjesë e listës së aseteve, mirëpo ishin shkruar vetëm pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Gazeta Jeta në Kosovë e ka analizuar listën e aseteve, vetëm te pjesa e hidrocentraleve.

Në listën e gjatë të aseteve janë futur edhe pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Në tërë listën e gjatë të aseteve vetëm në një vend shkruan “HCV”, që është akronim për “Hidrocentralet e Vogla”. Në asnjë vend tjetër të kësaj liste nuk figuron fjala hidrocentral.