Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për uzurpimin e pronave të serbëve në Pejë

Seanca ndaj Agron Kelmendit, Ramiz e Qazim Muriqit, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me uzurpimin e paligjshëm të pronave të serbëve ne rajonin e Pejës nuk është mbajtur siç ishte planifikuar.

Seanca është shtyrë për shkak se avokatët mbrojtës të të akuzuarve nuk i kishin pranuar shkresat e lëndës.

Të akuzuarit sot pritej që të ballafaqoheshin me akuzën e prokurorisë për veprën penale krim të organizuar lidhur me uzurpimin e pronave të serbëve në rajonin e Pejës.

Por pasi që avokatet e të akuzuarëve nuk  kishin marrë shkresat e lëndës në mënyre fizike gjykimi u shtye për 30 janar.

Ndonëse prokurori i rastit Atdhe Dema kishte njoftuar mbrojtësit përmes zyrtares ligjore se shkresat e lëndës në mënyre fizike ishin gati një muaj më parë me 9 dhjetor avokatët për shkak të agjendës së tyre nuk kishin shkuar në Prokurori për t`i marrë provat.

Ndërsa prokurori i rastit sot në gjykatë i kishte sjellur shkresat e lëndës për tre të akuzuarit, një numër i madh i shkresave të cilat ishte e pamundur të konsultoheshin sot, andaj të akuzuarit nuk ishin të gatshëm që të deklaroheshin rreth fajësisë.

Sipas prokurorit Atdhe Dema, të akuzuarit Kelmendi dhe Muriqi akuzohen për krim të organizuar lidhur me uzurpimin e paligjshëm të pronave të serbëve ne rajonin e Pejës.

Kjo ishte hera e 7 që ishte tentuar të mbahej seanca për këtë gjykim.

Katër herë kishte dështuar të mbahej në Gjykatën e Pejës e tre herë në Gjykatën e Prishtinës.