Ilustrim - Policia në aksion

Dështimi në parandalim, i dyshuari për vrasjen e gruas e kishte rrahur edhe më parë me bisht të sëpatës

Nuhi Mavroqani, i cili dyshohet se në Kamenicë e ka vrarë (mbytur), gruan e tij me shufër metalike po del të ketë qenë edhe më parë i dënuar për veprën penale të lëndimit trupor, pikërisht ndaj gruas së tij tanimë të ndjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të  vitit 2017 të siguruar nga KALLXO.COM, Nuhi Mavroqani  gjatë vitit 2017 në Fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës i kishte shkaktuar edhe më parë lëndime gruas së tij duke e goditur me bisht të sëpatës.

Tutje sipas aktit akuzues Mavroqani në atë kohë me të njëjtin mjet (bisht të sëpatës), e ka goditur tashmë të ndjerën një herë në kokë, pastaj në kraharorë dhe në shpinë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Lidhur me këtë rast KALLXO.COM ka siguruar edhe aktgjykimin me të cilin tashmë i dyshuari Mavroqani ishte dënuar.

Gjykata kishte vendosur që të akuzuarit t’i shqiptonte vetëm dënim me kusht.

Sipas aktgjykimit të datës 03 tetor 2018, ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 90 ditësh me kusht që ai mos të kryente vepër tjetër penale.

E siç po duket ky dënim (vetëm me kusht), e ka trimëruar Mavroqanin, pasi ai me 26 korrik 2020, dyshohet se pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë-shufër metalike, e ka goditur bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç ‘rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, që kanë rezultuar me vdekjen e saj.

Që nga dita kur ka ndodhur ngjarja me vendim të Gjykatës i dyshuari është duke u mbajtur në paraburgim.

Sipas Prokurorisë i dyshuari pas një fjalosjeje e kishte goditur tashmë të ndjerën me shufër metalike njëherë në kokë e cila më pas ishte rrëzuar në tokë, por që i njëjti përsëri kishte vazhduar ta godasë S.M. deri sa i ka shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse të ndjerës.

Me këto veprime i dyshuari akuzohet se ka kryer veprën penale të  vrasjes së rëndë.

Në shenjë proteste ndaj dhunës në familje, për rastin e gruas S.M që dyshohet që u vra nga bashkëshorti, pati reagime të ndryshme qoftë nga qytetarët, shoqëria civile e deri tek deputetet të cilët u kanë kërkuar institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë përkitazi me ligjin këto raste në mënyrë që të mos kemi përsëritje të këtyre tragjedive.

S.M. nuk është rasti i parë që dyshohet se humbi jetën pas dhunës fizike të shkaktuar nga bashkëshorti.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste të tjera të cilat nuk janë të pakta, ku gratë kanë qenë viktima të dhunës në familje nga bashkëshortët e tyre.

Kamenica fik dritat një minutë për gruan e vrarë nga Berivojca

 

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.