Foto: KALLXO.com

Dëshmojnë ekspertët në gjykimin për vrasjen që dyshohet se u krye shkaku i borxhit prej 77 mijë eurove

Në procesin gjyqësor kundër Kreshnik Halitit, i cili akuzohet për vrasjen e Mentor Zekajt, janë dëgjuar sot eksperti mjekoligjor, eksperti i psikiatrisë dhe eksperti psikosocial.

Sipas aktakuzës, vrasja ishte kryer për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me borxhin në vlerë prej 77 mijë eurove që i akuzuari Halitaj pretendohet se ia kishte viktimës.

Eksperti mjekoligjor, Naim Uka, tha se i akuzuari nuk ka pasur lëndime trupore ashtu siç përshkruhet në aktin mjekoligjor.

Ndërsa, lidhur me dhimbjen e trupit të të akuzuarit, të përshkruar në raportin mjekësor, dëshmitari tha se dhimbja trupore nuk merret parasysh në kualifikimin e lëndimeve trupore sepse, sipas tij, dhimbja është ndjenjë subjektive që paraqitet edhe pa kurrfarë lëndimesh trupore.

Eksperti u pyet edhe për nivelin e sheqerit në gjak, shtypjen e gjakut etj., detaje këto të përshkruara në raportin mjekësor.

Por, dëshmitari tha se është i obliguar të komentojë vetëm akt-ekspertimin mjekoligjor sipas urdhëresës së prokurorit, ndërsa shtoi se sa i përket komentimit të raportit të një kolegut të tij, nuk ka asnjë obligim që ta gjykojë lidhur me atë nëse është shkruar apo jo drejt një raport mjekësor.

Ai tha se për shkak të  kalimit të një kohe të gjatë nuk i kujtohet se në rastin konkret a ka pasur fotodokumentacion në shkresat e lëndës megjithëse në rastet e tjera të ngjashme nëse do të ekzistonte fotodokumentacioni në raportin mjekësor, fotodokumentacioni si i tillë shërben për të konfirmuar gjetjet e raportit mjekësor në bazë të të cilit përpilohet ekspertiza.

Gjithashtu eksperti shtoi se bazuar në raportin mjekësor, të akuzuarit i është bërë ekzaminimi i drejtpërdrejtë dhe atë me vetë faktin se ekziston një raport mjekësor ku shkruan ekzaminim mjekësor, lëndimet e shkaktuara, shenjat e dukshme, në të cilin janë përshkruar anamneza dhe simptomat.

I pyetur nga prokurori se meqë ka pasur ekzaminim të drejtpërdrejtë, a ka pasur nevojë për ndonjë fotografim të trupit e fytyrës apo e pjesëve të tjera të trupit, eksperti u përgjigj se absolutisht nuk ka qenë e nevojshme të bëhet fotografimi i pacientit para apo gjatë ekzaminimit mjekësor.

Eksperti i psikiatrisë, Fahri Drevinja tha se nuk ka pasur të dhëna që dërgojnë drejt konstatimit se te pacienti ka ekzistuar një gjendje e afektit mendor apo e tronditjes së rëndë.

Avokati Besnik Berisha duke pyetur ekspertin tha paraprakisht se ekspertiza në fjalë sipas bindjes së tij nuk e përjashton edhe gjendjen e afektit mendor si rezultat i veprimeve të përshkruara nga i ekzaminuari, rrjedhimisht kjo ekspertizë lë mundësi të hapur se për ta pasur një gjendje mendore me besueshmëri të lartë duhet një ekzaminim me fokus të veçantë për gjendjen e afektit mendor.

“A kam të drejtë nëse konstatoj kështu?”, pyeti Berisha.

“Unë thash atë çfarë ekipi ka gjetur dhe ka ardhur deri të konstatimi d.m.th. ne nuk kemi pasur të dhëna të tjera të cilat çojnë drejt konstatimit se te pacienti ka ekzistuar një gjendje e afektit mendor apo tronditjes së rëndë”, u përgjigj eksperti.

Eksperti tha se nëse gjejmë prova të reja të aspektit të gjendjes mendore në momentin e kryerjes se veprës është dakord që të bëhet një ekspertizë e re.

“Këto burime që i kemi pasur nuk mund të luhatet mendimi, por nëse na sjellin prova të reja do të plotësojmë mendimin”, tha ai.

Dëshminë para trupit gjykues e dha edhe eksperti psikosocial, Naim Hoxha.

Ai tha se në bazë të të dhënave nga bashkëshortja e të akuzuarit, kanë marrë informacione se më të nuk ka pasur ndonjë akces dhunë. Po ashtu shtoi se nuk kanë gjetur të dhëna se ka pasur ndonjë problem në rrethin ku ka jetuar dhe punuar.

Trupi gjykues në këtë rast përbehet nga kryetarja – gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, dhe gjyqtarët Sami Sharraxhiu e Kadri Prekaj.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

Kreshnik Haliti në korrik te vitit 2018 ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

https://kallxo.com/ligji/ekspertja-perputhen-shkrimi-e-nenshkrimi-ne-letren-ne-xhepin-e-viktimes-dhe-ne-fletoren-e-te-akuzuarit/