Foto: Kallxo.com

Dëshmitarja tregon si u ‘zhdukën’ rreth 72 mijë euro nga Posta në Podujevë

Një dëshmitare e cila doli të premten para gjykatës për të dëshmuar rreth akuzave ndaj Enver Ajetit, kontrollor i Postës së Kosovës në Podujevë, ka detajuar të gjitha mungesat që ishin vërejtur në arkën e Postës në degën e këtij qyteti.

Ademi që kishte mbajtur pozitën e koordinatores financiare në Postën e Kosovës ka specifikuar se kur ishin bërë bilancet financiare, aty mungonin rreth 72 mijë euro që duhej të arkëtoheshin në ‘kuletën’ e Postës.

Për këtë rast, Prokuroria në Prishtinë po e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë nuk i ka dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore për periudhën kohore 26 prill deri më 2 maj 2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71,744 euro.

Kjo mungesë e mjeteve është zbuluar nga Komisioni i kontrollit operativ regjional i Postës së Kosovës, si dhe koordinatorja e financave, thuhet në aktakuzë.

Enver Ajeti ka deklaruar se ndihet i pafajshën në akuzat të cilat i ngarkohen.

Në seancën e sotme, dëshmitarja Saranda Ademi tha se vlerësimi i dëmit në këtë degë të Postës së Kosovës ishte bërë më 2 maj 2013.

Ajo si dëshmitare është propozuar nga prokurori i këtij rasti, Shkelzen Ibrahimi.

Ademi tha se së pari kontrollori operativ i zyrës postare “Besiana 1” kishte vërejtur mungesën e parave ndërsa procesverbali i ishte përcjellë asaj.

“Dallimi në mes procesverbalit të kontrollorit operativ me gjendjen e zyrës postare ka dalluar për shkak se nuk është bërë prezantimi real financiar që është raportuar nga stafi adekuat konkretisht zotëri Enver Ajeti. Ka pasur dallime, konkretisht nuk është prezantuar gjendja reale e anës materiale e zyrës postare, dhe si rezultat i kësaj ka rezultuar me mungesën financiare në vlerë prej 71.744.85 euro”, tha dëshmitarja Ademi.

Sipas saj, dallimi mes procesverbalit dhe raportit final të përpilimit të gjendjes financiare ka ardhur “si rezultat i mos deklarimit të gjendjes reale”.

“Nuk janë prezantuar ngarkesat reale të produkteve, si dhe kanë munguar deponimet nga realizimet ditore prej datës 26.4.2013 deri me 1.5.2013”, tha ajo.

Duke folur për mungesat e vërejtura nëpër produkte veç e veç, Ademi tha se bilanci fillestar më 2.5.2013, sipas ngarkesave për produkte për pulla dhe vlera ka qenë dashur të jetë 13,968.33 euro ndërsa ajo tha se janë gjetur vetëm 3,798.56 euro, për produktet e postës.

“Ndërsa te produktet e Valës më 2.5.2013, është kërkuar 48,370 euro si saldo, janë gjetë vetëm 28,276 euro”, tha ajo duke saktësuar se te produktet e Valës mungesa është në vlerë 20,094 euro, sa i përket kartelave gërvishtëse.

Ajo më tej tha se te SIM kartelat, bilanci fillestar më 2.5.2013 ka qenë 1,445 euro ndërsa ishin gjetur 500 euro më pak, apo 945 euro.

Ajo më tej tha se te Telekomi, te ‘payphone’ edhe te kartelat e telefonit, si bilanc më 2.5.2013, ka qenë dashur të jenë 12,390 euro, ndërsa ishin gjetur 10,730 euro, apo 1,660 euro më pak.

Mungesa të parave, sipas saj, ishin vërejtur edhe në shërbimin e Western Union. Ajo tha se nga 2,950 euro nuk është gjetur asnjë.

“Pazaret e pa deponuara janë në vlerë prej 36,371.08 euro, pra janë qarkullim ditor i datës 26.4.2013 deri më 01.5.2013, por paratë nuk janë deponuar në bankë”, tha ajo.

Më tutje shtoi se në kuadër të zyrës postare Besiana ekziston hierarkia ku përgjegjësit komunal apo kontrollorit të zyrës postare i takojnë ngarkesat për produkte në bazë të përshkrimit të vendit të punës. Këtë pozitë, në atë kohë, e mbante i akuzuari Enver Ajeti.

Pas dhënies së deklaratës nga ana e dëshmitares Ademi, seanca vazhdoi edhe më tutje, me dëgjimin e ekspertëve finanicar Riza Blakaj, Xhevdet Krasniqi dhe Remzi Smajli të cilët lidhur me këtë rast kishin përpiluar ekspertiza financiare të ndryshme dhe të cilët deklaruan se mbesin në tërësi pranë mendimeve dhe konstatimeve të tyre.

Eksperti Remzi Smajli deklaroi se deri më tani, që nga viti 2004, ka bërë rreth 50 ekspertiza financiare.

Por ai tha se në këtë rast nuk i është ofruar i tërë dokumentacioni i nevojshëm.

“Unë i kam pasur të gjitha dokumentet e nevojshme nga ana e Postës së Kosovës për ta përpiluar këtë ekspertizë, përveç detajizimit te ngarkesave për të pandehurin Enver Ajeti dhe për pikën postare në Besiane në Podujevë”, tha eksperti Smajli.

Gjykata ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për ta vazhduar më datë 31.1.2020, ndërsa grupit të ekspertëve të kryesuar nga eksperti Remzi Smajli, gjykata do t’u kërkojë plotësimin e super ekspertizës së datës 25.08.2019, duke e obliguar Postën e Kosovës që t’ia ofrojë të gjithë dokumentacionin e kërkuar grupit të ekspertëve, përfshirë edhe dokumentacionin lidhur me produktet ngarkesa/shkarkesa për rastin në fjalë.

Dosja e Prokurorisë: Enver Ajeti përvetësoi mbi 71 mijë euro të PTK-së