Momenti kur dëshmitares i kërkohet të identifikojë të akuzuarin Zoran Gjokiq - 21.02.2020

Dëshmitarja identifikon të akuzuarin për krime lufte

Dëshmitarja  vendos gishtin në foton e tretë duke thënë “ky po më  përngjan me Zoranin kur ka qenë i ri”,  duke identifikuar fqinjin e akuzuar për krime lufte në Pejë.

Gjykimi ndaj Zoran Gjokiqit, i akuzuar për krime luftë në lagjen “Kristal” të Pejës vazhdoi me dëshmitaren Bernadika Marku fqinjës para kohës së luftës me të akuzuarin Gjokiq.

Dëshmitarja Bernadika Marku, rrëfeu për gjykatën se ajo jeton në Pejë në katin e 9 të soliterit me të lartë.

Ajo tregoi se në atë soliter jetonin familje shqiptare dhe serbe, por në katin ku banonte ajo të gjitha familjet ishin shqiptare.

Dëshmitarja Marku, tregoi për gjykatën se në katin e 10 të kësaj ndërtese banonte fqinji i saj tani i akuzuari Zoran Gjokiq.

Ajo tha se me datën 29 mars 1999, bashkë me familje e kishin lëshuar banesën dhe ishin nisur për në Mal të Zi, për shkak të luftës, sepse Peja ishte duke u kallur.

E për datën 29 mars, kur e kishin lëshuar banesën dëshmitarja Marku, tha se nuk e kishte parë asnjërën nga familjet serbe.

Ndërsa Zoran Gjokiqin e kishte parë 3 ose 4 ditë para datës 29 mars në hyrje të banesës me të cilin ishin përshëndetur me ‘mirëdita-mirëdita’.

Dëshmitarja Marku u pyet edhe nga përfaqësuesi i palëve të dëmtuara avokati Kujtim Kërveshi se nëse i thonin diçka, nofkat “Munja”, “Çakalli”, “Shalipur”, por ajo u deklarua se nuk dinte gjë.

“Për Zotin, nuk di asgjë rreth tyre”, tha dëshmitarja Bernadika Marku.

Marku u pyet edhe nëse kishte njohuri për organizatën “Dora e Zezë” e cila ka kryer krime në territorin e Pejës, ajo tha se nuk e dinte gjë për këtë organizatë.

E për vitin 1999 dëshmitarja Marku tha se “Ne jemi endur kemi shkuar në punë, nuk kemi pas diçka problem, bile ne që kemi jetuar në qendër”.

Ndërsa nga avokati Ljubomir Pantoviç, mbrojtës i të akuzuarit Zoran Gjokiq, dëshmitarja u pyet nëse i kishte parë armë në dorë Zoranit, dhe çfarë fqinji ishte.

Dëshmitarja Bernadika Marku tha se “Jo nuk i kam parë armë në dorë, dhe Zorani ka qenë djalë i sjellshëm prej një familje të mirë”.

Trupi gjykues dëshmitares Bernadika Marku i prezantoi disa fotografi për të cilat u pyet se a e njeh dikë në këto foto?

Ajo në mesin e 10 fotografive të prezantuara të cilat ju prezantuan me radhë së pari 2 fotografi, pastaj 4 fotografi e në fund edhe 4 fotografi të tjera e kishte zgjedhur fotografinë e 3-të, prej 4 fotove të fundit që i ishin prezantuar duke treguar se personi në fotografinë e 3 ishte Zoran Gjokiq.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti konstatoi se “Dëshmitarja ka vendosur gishtin në foton e tretë e që në bazë të procesverbalit mbi identifikimin e personit gjendet i dyshuari Zoran Gjokiq për të cilin tha se ky po më përngjan me Zoranin kur ka qenë i ri”.

Seanca e radhës u caktuan me datën 6 mars, në të cilën do të dëgjohen dëshmitarët Florim Mamaj, Selami Taraku, Fatmir Shala.

Zoran Gjokiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjokiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.