Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja- ekzaminuesit: Ti m’i tregoje përgjigjet me gisht, unë e plotësoja testin

Në gjykimin ndaj ekzaminuesit të testit për patentë shoferë, Gëzim Kryeziut, i akuzuar për marrje ryshfeti, është dëgjuar dëshmia e dëshmitares Shkurte Hashani.

Dëshmitarja rrëfeu në Gjykatën e Prishtinës se pasi kishte dështuar 6 herë ta kalonte testin me shkrim i ishte drejtuar Policisë.

E kur kishte shkuar të  paguante paraqitjen e testit për herë të shtatë, personi që jepte fletëpagesën e kishte pyetu: “A për të shtatën herë je tu e paraqit testin a?” dhe i kishte thënë: “Nëse don mundem me të ndihmu”.

Pastaj dëshmitarja Hashani rrëfeu se kishte biseduar me personin e quajtur Ekrem dhe e kishte pyetur sa para duhet me i dhënë për test.

“Ai më tha se duhet m’i dhënë 500 euro për me kalu testin me shkrim”, deklaroi dëshmitarja Shkurte Hashani.

Tutje dëshmitarja tha se ajo pas bisedës me Ekremin kishte shkuar në Polici dhe aty ishte pajtuar që tutje të vepronte sipas udhëzimeve të Policisë.

Dëshmitarja Hashani deklaroi se i kishte treguar Policisë që testit me shkrim do t’i nënshtrohej më 18 shtator 2019.

Më 17 shtator 2019 dëshmitarja tregoi se Policia i kishin vendosur kamerën dhe pastaj ajo kishte shkuar tek Ekremi, i cili ishte filmuar duke i thënë: “Bjeri 500 euro se e kam personin që i kryen këto punë”. Por, sipas saj, emër Ekremi nuk ka përmendur.

Ndërsa për datën 18 shtator 2019, dëshmitarja rrëfeu se në ora 8:00 ka shkuar në Polici dhe Policia Speciale ia kanë vendosur të gjitha pajisjet – kamerë të fshehtë, dëgjuese dhe se në ora 9:30 ishin nisur. Ajo tha se Policia e ka dërguar deri në parking të auto-shkollës dhe i kanë dhënë 500 euro në bankënota prej 100 euro.

Dëshmitarja tregoi se pasi Policia ia kishte dhënë paratë ishte nisur për tek Ekremi, të cilit ia kishte dhënë të hollat. “Ekremi më tha: ‘Kur të hysh në test vjen një ekzaminer dhe të tregon se cilat janë përgjigjet e sakta’. Por, nuk ka përmend as emër as mbiemër”, shtoi dëshmitarja.

Tutje, ajo tregoi se në ora 11:00 kishte hyrë në provim por para se të hynte në sallë ishte kontrolluar nga një grua e quajtur Vahide. Dëshmitarja tha se ishte frikësuar se do t’i zbulohej kamera dhe mikrofoni i vendosur nga Policia.

Pastaj tregoi se pasi i kishin dhënë testin, ekzaminuesi Gëzim i ishte afruar dhe i kishte treguar përgjigjet e sakta.

“Ekzamineri-Gëzimi, ka ardhë afër bankës dhe më ka treguar se cilat janë përgjigjet e sakta ku duhet ta vendos shenjën X”, tha ajo.

Shkurte Hashani tregoi se vetëm pyetjen e fundit e ka plotësuar vetë e të gjitha përgjigjet e tjera ia ka treguar Gëzimi.

“Ekzamineri shkonte u tregonte edhe të tjerëve si mua”, rrëfeu ajo në Gjykatë.

Dëshmitarja tregoi se të njëjtën ditë në ora 13:00 kishte marrë rezultatin, sipas të cilit e kishte kaluar testin.

Pastaj dëshmitarja tregoi se kishte shkuar në Polici dhe kishte dhënë deklaratë.

E pyetur nga i akuzuari Kryeziu se nga kush e kishte  dëgjuar emrin e tij, ajo u përgjigj se nga Policia.

E pyetur nga i akuzuari se shkronjën X te përgjigjet a e kishte vendosur ajo apo ai, dëshmitarja tha: “Ti je ardhë në bankë, më ke treguar përgjigjet, e unë i kam bo X-at”.

E pyetur nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hysaj, se a je e sigurt se është Gëzimi ekzaminuesi që ia ka treguar përgjigjet, dëshmitarja tha se është e sigurt për këtë dhe se këtë e dëshmojnë edhe incizimet e kamerave.

Gjykimi i sotëm vazhdoi edhe me dëgjimin e dëshmitares Vahide Beshirit, e cila tregoi se kishte qenë kolege me të akuzuarin.

Ajo tregoi se më 18 shtator 2019, një kandidat e gjinisë femërore nuk e kishte lejuar ta kontrollonte pasi ishte e shqetësuar.

“Unë e kam thirrë drejtorin Kamer Shabanin, i kam treguar se kjo kandidatja nuk po më lejon me kontrollu e ai më ka thënë: S’po di çka m’i ba”.

Dëshmitarja tha se pasi kandidatja i kishte larguar flokët dhe i kishte treguar veshët që nuk ka dëgjuese e kishte lejuar të hynte në sallën e testit.

Por, tha ajo, Gëzimit i kam treguar se ajo nuk e kishte lënë ta kontrollonte e Gëzimi, sipas saj, i kishte thënë: “Pse s’më ke tregu më herët”.

I akuzuari Ekrem Zhegrova pasi kishte pranuar fajësinë ishte dënuar nga Gjykata me një vit burgim e 1,000 euro dënim me gjobë.

Ekzamineri i Qendrës së Patentë Shoferëve e pranon fajësinë për marrje ryshfeti

Aktakuza thotë se Gëzim Kryeziu më 18 shtator 2019 rreth orës 11:00, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminues në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, e shfrytëzon detyrën duke tejkaluar kompetencat e tij dhe sipas instruksioneve të Ekrem Zhegrovës i ndihmon kandidates Shkurte Hashani në dhënien e provimit teorik duke iu afruar gjatë testit dhe duke i treguar me shkrim se cilat janë përgjigjet e sakta.

Ndërsa të akuzuarin Ekrem Zhegrova Prokuroria e ngarkon se në ditën e njëjtë rreth orës 10:00 derisa ishte duke punuar ne sektorin privat “Money Gram”, në afërsi të Qendrës së Patentë Shoferëve në Prishtinë, takohet me  kandidaten Shkurte Hashani, tani e dëmtuar, nga e cila ka kërkuar shumën prej 500 eurove dhe i ka marrë ato me qëllim që t’i ndihmojë ta kalojë provimin teorik për patentë shofer.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Zhegrova i kishte thënë Shkurte Hashanit që deri sa të vinte ekzaminuesi pranë saj gjatë provimit të mos plotësonte asnjë pyetje.

E nga zbatimi i masave të fshehta, sipas Prokurorisë,  është parë ekzaminuesi Gëzim Kryeziu duke i ndihmuar kandidates Shkurte Hashani për plotësimin e testit me përgjigje të sakta.