Hysri Peqani - 'Burdushi'

Dëshmitarja: ‘Burdushi’ na mashtroi duke na thënë se do ta shëronte familjaren tonë

Një dëshmitare ka dëshmuar në rigjykimin e Hysri Peqanit, i njohur në opinion si “Burdushi”.

Dëshmitarja N.N. (emër i njohur për redaksinë), tregoi para Gjykatës së Prizrenit rrethanat që e kishin çuar në binte në kontakt me të pandehurin, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit.

Ajo tha se sëmundja e rëndë e një familjarje e kishte çuar në derë të “Burdushit”, për të cilin tha se kishte dëgjuar nëpërmjet mediave.

Dëshmitarja rrëfeu se kur kishte shkuar në objektin ku i pandehuri kishte ushtruar aktivitetin atje kishte parë për herë të parë në jetën e saj “sende të çuditshme”: letra, do sende vizlluese, fotografi, figura të ndryshme. “Shumë sende që kurrë në jetë s’i kam pa”, tha dëshmitarja.

“Burdushi na ka premtuar se 100 % kjo sëmundje do të gjejë shërim”, tha dëshmitarja edhe pse familjarja e saj vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe për të cilën nuk gjendej ilaç.

Sipas dëshmitares, i akuzuari Hysri Peqani u kishte thënë se familjarja e tyre vuante nga magjia e zezë, nga sehiret.

“Burdushi e ka djegë një hajmali, e ka djegë me qibrit. Një pare e ka sjellë rreth qafës”, rrëfeu dëshmitarja para Gjykatës momentet nga objekti dhe veprimtaria e të akuzuarit Hysri Peqani.

Përkundër faktit që kishin shkuar për të kërkuar shërim, dëshmitarja tregoi se familjarja e saj nuk ka pasur kurrfarë përmirësimi shëndetësor, “saqë edhe sot vuan edhe më shumë nga sëmundja që e ka, përkundër faktit që Burdushi i kishte premtuar se do të kishte shërim brenda 1 muaji”.

2 mijë euro tha dëshmitarja t’i kenë dhënë familja e saj “Burdushit” me shpresën që i njëjti do t’i ofronte shërim dhe ndihmë familjares. Për këto para, ajo tha se i ka kërkuar i akuzuari në emër të shërimit të sëmundjes të familjares.

Dëshmitarja kishte ardhur në Gjykatë enkas për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor.

Ajo tha se ardhja i ka kushtuar rreth 5 mijë euro.

E pyetur nga prokurori Petrit Kryeziu se çfarë mesazhi ka dashur të përcjellë me prezencën e saj në Gjykatë, duke marrë parasysh shpenzimet e mëdha, dëshmitarja tha që nuk ka ardhur në Gjykatë për të kërkuar dëmshpërblim material, por të kërkojë që të akuzuarit “t’i mbyllen dyert, që mos të rrejë e mashtrojë njerëz të tjerë, ngase kjo është vetëm një rrenë e profesionit të tij dhe asgjë tjetër”.

Dëshmitarja tha se si familje kanë vuajtur shumë në 5 vitet e fundit dhe nuk dëshiron që edhe të tjerët të vuajnë sikurse familja e saj.

E pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina, për arsyet pse ka shkuar tek i akuzuari Hysri Peqani, dëshmitarja tha që kanë qenë arsyet e sëmundjes së rëndë nga e cila vuante familjarja e saj dhe se vetë i akuzuari u kishte thënë se është mjek.

Në seancën e radhës i akuzuari Hysri Peqani do të japë mbrojtjen e tij dhe do të thuhet edhe fjala përfundimtare, pas së cilës gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi edhe e shpall aktgjykimin.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e “Burdushit” pasi që Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur fajtor në nëntor të vitit 2018 dhe e kishte dënuar me 1 vit burg efektiv dhe gjobë 1.500 euro.

Gjithashtu si dënim plotësues ndaj tij ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Gjykata ia ndalon ‘profesionin’ Burdushit

Apeli e kishte marrë këtë vendim pasi kishte konstatuar se nuk është dëgjuar dëshmia e një dëshmitari shumë të rëndësishëm.

Rasti tash i ka kaluar gjyqtarit Fatmir Krasniqi, pasi  që gjyqtari që kishte dënuar herën e parë “Burdushin” është angazhuar me detyra në gjykatë tjetër.

Para fillimit të seancës, prokurori i rastit, Petrit Kryeziu, i paraqiti Gjykatës si provë një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin të pandehurit i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore.

Përveç këtij rasti, “Burdushi” po mbahet në paraburgim si i dyshuar për kryerjen e 4 veprave penale.

(FOTO) Arrestohet sërish “Burdushi”

Hysri Peqani po dyshohet për veprat penale – ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim dhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht që nga tetori i vitit 2018 për zhvillimet në rastin ‘Burdushi’.

Gjithçka kishte filluar më 16 nëntor  të vitit 2018, kur “Burdushit” i është bastisur shtëpia, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të lartcekura.

Bastiset shtëpia e Hysri Peçanit- Burdushit (FOTO)

 www.kallxo.com