Foto-ilustrim

Dëshmitari rrëfen si ia barti Shaban Sylës autorizimin për përfaqësim të familjes Steviq

Në gjykimin e njohur si rasti “Toka”, ku ndër të akuzuarit është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, është dëgjuar dëshmia e avokatit Edvard Gashi.

Dëshmitari tregoi se ka pasur 4 autorizime nga familja Steviq, të cilat i kishin nënshkruar të gjithë anëtarët e kësaj familjeje për përfaqësimin e interesave të tyre për shitblerjen e disa paluejtshmërive.

“Kujtoj se 2 nga këto 4 autorizime janë realizuar, pra tokat janë shitur”, tha dëshmitari Gashi.

Tutje, ai tregoi se të akuzuarin Shaban Syla e kishte njohur atëherë kur familja Steviq kishte kërkuar nga ai t’ia barte autorizimin Shaban Sylës.

“Ata më kanë dhënë autorizimin me mundësi që ta bart autorizimin te avokatët e tjerë ose personat e tjerë, dhe këtë autorizim e kam bartur në gjykatë në emër të Shaban Sylës”, deklaroi dëshmitari Edvard Gashi, duke iu përgjigjur një pyetje të gjyqtarit Beqir Kalludra se ka shkuar puna e bartjes së autorizimit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër të gjykatësit Kalludra, dëshmitari tha se që të shkonte te Shaban Syla për t’ia bartur autorizimin për përfaqësim të familjes Steviq e kishte udhëzuar Vidosav Novakoviq, i cili, sipas tij, ishte ndërmjetësues i familjes Steviq.

“Përfitimi im në emër të përfaqësimit për familjen Steviq  ishte 1500 euro”, deklaroi dëshmitari Edvard Gashi.

Ndërsa lidhur me të akuzuarin Ramadan Uka, dëshmitari tha se e ka takuar në kafene dhe restorante, porse nuk ka pasur kurrëfarë kontaktesh me të në lidhje me shitblerjen  e paluajtshmërive.

I pyetur nga prokurori Naim Abazi se pse e kishte ndërprerë përfaqësimin e familjes Steviq, dëshmitari Gashi tha se kjo ka ndodhur pas kërkesës që ta bartte autorizimin te Shaban Syla.

“Familjen Steviq e kam përfaqësuar në së paku tri lëndë të tjera por jo lidhur me këtë çështje”, shtoi ai.

I pyetur nëse ishte në dijeni për problemet me pronat, për të cilat ishte i autorizuar të përfaqësonte interesat e familjes Steviq, dëshmitari Gashi tha se nuk e dinte deri në vitin 2006, “por më vonë doli në shesh çdo gjë”.

Lidhur me rolin e  Shaban Sylës në procesin e shitblerjes së paluajtshmërive dëshmitari Gashi tha se ka dëgjuar që Vukashin Steviqit i janë dhënë para që i ka shitur letrat-aktgjykimin për të vërtetuar prejardhjen e paluajtshmërisë.

Avokati Agron Curri, mbrojtës i të akuzuarit Shaban Syla e pyeti dëshmitarin se kur e ka kaluar autorizimin te Shaban Syla a e ka bashkëngjitur edhe fletën poseduese dhe kopjen e planit. Për këto, Edvard Gashi deklaroi se  nuk i kujtoheshin “sepse kanë kalur 13 vite”.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK