Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi kërkuan para në emër të Kadri Veselit

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seancë në rastin e Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për veprën penale – mashtrim në bashkëkryerje.

Gjatë seancës së sotme janë dëgjuar dëshmitarët Xhafer Maliqi, Rasim Selmanaj dhe Muharrem Hajdari, të cilët ishin propozuar nga Prokuroria.

Ish-kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, në dëshminë e tij deklaroi se biznesmenin Ekrem Lluka e kishte njohur edhe më herët dhe e kishte mik të mirë, ndërsa Rrahim Hashimin e kishte njohur para disa viteve.

Përderisa Faton Dalladakun e kishte njohur vetëm në një takim në Pejë në Hotel Dukagjini.

Këtë takim Selmanaj ua kishte realizuar duke e telefonuar Ekrem Llukën përmes telefonit, i cili kishte pranuar që t’i takojë këta persona, pas kërkesës së Rrahim Hashimit.

Ndërsa për Kadri Rexhepin dhe Ekrem Likën deklaroi se nuk  kishte pasur rast që t’i njihte.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Rukije Sheshivari se a e di se çka është biseduar në atë takim, Selmanaj tha se nuk e dinte sepse nuk i ka interesuar asnjë detaj në atë takim, “sepse ka qenë çështje e tyre”.

Gjatë seancës Selmanaj deklaroi se Rrahim Hashimi nuk  i ishte prezantuar asnjëherë si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

Në fund Selmanaj shtoi se për Rrahim Hashimin nuk kishte  mendim negativ e as nuk kishte pasur, por që i njëjti gjithmonë e kishte respektuar atë dhe ishte sjellë me dashamirësi.

Ndërsa dëshmitari Muharrem Hajdari deklaroi se Faton Dalladakun e njeh pasi që është pronar i firmës ku ai vazhdon ende të punojë dhe shtoi se gjatë asaj kohe kanë ardhur te zyra e Faton Dalladakut, Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi dhe Ekrem Lika gati çdo ditë.

Në pyetjen e prokurores se a e kanë përmendur të njëjtit Kadri Veselin dhe Xhavit Halilin në këto biseda, dëshmitari Hajdari  tregoi se fillimisht në zyrat e tyre kishte filluar të vinte Kadri Rexhepi “dhe i njëjti na ka thënë se janë dy persona dhëndri i Kadri Veselit dhe bashkëpunëtori i Kadri Veselit i cili end të gjitha punët e ShIK-ut”.

“Si dhëndër të Kadri Veselit e ka prezantuar Ekrem Likën, kurse bashkëpunëtor dhe udhëheqës për punët e Kadri Veselit e ka prezantuar Rrahim Hashimin”, tha Hajdari.

Në pyetjen pasuese të prokurores së çështjes se a ke dëgjuar ndonjëherë nga të njëjtit se kanë kërkuar para në emër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit për mundësinë e riblerjes së aksioneve të spitalit, dëshmitari tha se ka dëgjuar, fillimisht prej Kadri Rexhepit dhe Rrahim Hashimit, “i cili u prezantua që i ka 20 % të aksioneve të spitalit”.

Gjatë seancës ka dëshmuar edhe dëshmitari Xhafer Maliqi, i cili kishte punuar në periudhën 2011/2012 si avokat në zyrën e Faton Dalladakut, i cili deklaroi se Rrahim Hashimin  e kishte parë në zyrën e Faton Dalladakut së bashku me Kadri Rexhepin, dhe kishte shtuar  se më herët Faton Dalladaku i kishte shpjeguar se është duke u përgatitur financiarisht që të blejë aksionet nga Ekrem Lluka përmes këtyre personave që tani janë të akuzuar.

Vendimi i gjykatës: Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi mbesin në paraburgim

www.kallxo.com