Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Ramush Haradinaj ndikoi në lirimin e një njeriu nga burgu

Në gjykimin për vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe të një polici të Kosovës, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2004, ka vazhduar me dëshminë e tij njëri nga të dënuarit për këtë rast, Shkumbin Mehmeti.

Sulmi është kryer më 23 mars 2004 dhe për këtë rast Mehmeti është dënuar me 30 vjet burgim.

Për këtë sulm ndaj zyrtareve policorë, të akuzuar janë Bedri Krasniqi e Alban Dizdari, ndaj të cilëve është duke u zhvilluar ky proces gjyqësor.

Ndërsa Shkumbin Mehmeti, i cili momentalisht është në vuajtje të dënimit, gjatë seancës së sotme ka vazhduar t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të dy të akuzuarve.

I pyetur nga mbrojtësja e të akuzuarit Bedri Krasniqi, avokatja Teuta Qaushi se përse e ka identifikuar të mbrojturin e saj në vitin 2016 e jo në vitin 2004, Mehmeti ka thënë se arsye pse nuk e kishte identifikuar deri në atë kohë kishte qenë sepse kishte pasur qëllime që t’i japë Krasniqit mundësinë që ai vetë të deklarohej për ngjarjen.

“Kam pasur qëllim që t’ia hap rrugën me pasë bashkëpunime me organet e drejtësisë. Unë kam parë që Bedriu nuk është duke u kfillur dhe s’e ka ndërmend të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe kam vendosu ta deklaroj emrin e tij”, tha Shkumbin Mehmeti, i cili sikur edhe në seancat e kaluar është sjellë i veshur me jelek antiplumb.

Kurse i akuzuari Bedri Krasniqi nga dëshmitari kërkoi të dijë se sipas tij në cilin grup bën pjesë ai, pasi që sipas të akuzuarit në seancën e fundit Mehmeti kishte deklaruar se disa nga personat e grupit kishin qenë idealistë dhe disa të tjerë profiterë.

“Nuk je kriminel i lindur, aksidentalisht je hi në botën e krimit dhe prej krejt grupit të kam çmuar për shkak të idealit që ke pasur dhe drejtësisë qe ke shfaq. Por fatkeqësisht je duke mbajtur burg e të tjerët janë në liri. Ti hesht por unë do flas edhe nëse më kushton ku me ditë me çka”, ia ktheu Mehmeti.

Tutje i akuzuari Krasniqi dëshmitarin e pyeti edhe në lidhje me Nazim Bllacën, se a e njeh dhe se a kishin folur ndonjëherë në telefon të tre së bashku.

“Me Nazim Bllacën sa e mbaj në mend ti më ke kontaktuar herë pas here prej burgut, unë kam qenë në shëtitore me Bllacën, nuk e di dëshira e kujt ka qenë që ia kam dhanë Nazimit me bisedu me ty edhe keni bisedu bajagi gjatë”, u përgjigj dëshmitari.

“A e ke dëgjuar Nazimin që më ka thanë: Bëhu dëshmitar bashkëpunues se e kam një shok në Bruksel e të ndihmon?” e pyeti më tej dëshmitarin i akuzuari.

“E di që ke pasë një bisedë të tillë, po nuk më kujtohet, e di që ai të ka ofruar me u ba burrë i mirë e me bashkëpunu me drejtësinë”, u përgjigj Mehmeti.

Tutje i akuzuari Bedri Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse edhe ai e kishte pasur këtë mundësi nga Bllaca, por Mehmeti tha se nuk kishte pasur nevojë për arsye se në atë kohe kishte qenë dëshmitar bashkëpunues.

Pastaj i akuzuari Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse i njëjti kishte kontaktuar edhe me Gani Gecin.

“Po, kam kontakte me të. Ai ka kërku ndihmë prej meje rreth atentatit që e ka pasur. Unë normal që s’kam pasë dijeni për atë farë pune dhe normal që s’kam mundur t’i ndihmoj”, u përgjigj Shkumbin Mehmeti.

I akuzuari Bedri Krasniqi më pas e pyeti dëshmitarin edhe lidhur me personin e quajtur Faik Shaqiri, i cili po ashtu kishte qenë i akuzuar për këtë rast.

“Gjatë këtij procesi kanë qenë të akuzuar edhe Faik Shaqiri dhe Bajram Kiqmari, ata janë liruar nga akuza. Pasi janë liruar, a ke bërë ti ndonjë prononcim publik, a ke thënë në media se Ramushi e ka liru Faikun?”, e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

“Besoj që po, s’e di saktë por besoj që kam thanë diçka  të tillë”, është përgjigjur shkurt Mehmeti.

Kurse në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Alban Dizdarit, avokatit Ndrec Dodaj, se pse kishte pritur shtatë vite për të dhënë deklaratë, dëshmitari u përgjigj kështu:

“Ka shumë arsye pse kam pritur deri në vitin 2012. Ka qenë mospërgatitja ime psikike edhe deri sa jam dënuar, s’kam pasë frikë që do dënohem. Pas dëgjimit jam mbajt me premtime prej atyre që kemi qenë bashkëpjesëmarrës në krim se shumë shpejt do lirohesh, dhe pas vendimit të shkalles së dytë kam filluar me mendu se duhet të bashkëpunoj, ngase kishte persona që janë akuzuar me mua që kanë shtënë mbi Policinë, ata janë liruar kurse unë mbeta në burg”, tha Mehmeti.

Shkumbin Mehmeti gjithashtu shtoi se në aktakuzë kishin qenë 13 persona të akuzuar, ku 12 prej tyre ishin liruar dhe vetëm ky ishte dënuar për këtë rast. Sipas tij kjo kishte qenë zhgënjyese për të dhe tha se këtë bashkëpunim me organet e drejtësisë nuk e ka bërë për ta mohuar që nuk ka shtënë mbi Policinë, por ai tha se qëllim i tij  është që të vërtetohet se i njëjti nuk ka bërë vrasje dhe se për të e vetmja rrugë është tregimi i të vërtetës.

“Para trazirave  ë marsit dhe mbas vrasjes së 23 marsit  në deklaratat e tua kam pa që keni ndenjur me njerëz që sot janë te rëndësishëm në Kosovë, si Enver Haradinaj, Nazim Ibrahimaj, Avdyl Mushkolaj, Gazmend Syla e plot të tjerë. Këta njerëz a e kanë ditë për ekzistimin e këtij grupi?”, pyeti avokati Dodaj.

“Po, kontakti ka qenë për arsye të tilla, dhe ne anëtarët e grupit shumica kemi qenë në ilegalitet dhe ata kanë qenë në njohuri për aktivitetet tona”, u përgjigj Mehmeti.

Tutje Mehmeti tha se përkrahje kishin pasur edhe prej politikës dhe tregoi se qëllimi i grupit kishte qenë të hynin në Mitrovicën e Veriut, me disa grupacione të tjera, të cilat iu kishin përmbajtur planit ushtarak.

https://kallxo.com/shkumbin-mehmeti-policet-e-unmik-ut-duhej-ti-carmatosnim-ti-zhvishnim-e-ti-lidhnim-per-lisa/

Ky rast gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës, si dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të Kosovës dhe UNMIK-ut.

Kjo ngjarje ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës, më 23 mars 2004, një patrullë e UNMIK-ut ishte sulmuar në Podujevë, në rrugën për në Prishtinë. Një grup i madh i personave shkrepën disa plumba ndaj patrullës së UNMIK-ut duke vrarë vozitësin, policin e UNMIK-ut Possible Essuman dhe zyrtarin e Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen e përparme të udhëtarit, si dhe pësuan lëndime nga plumbat e shkrepur zyrtari policor i Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli, të cilët ishin në ulësen e pasme.

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, ka nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre.

Në vendimin e Supremes thuhet se Bajram Kiqmari e Faik Shaqiri lidhur me këtë rast janë gjykuar disa vite më parë dhe se ndaj tyre ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve.

Me 9 nëntor 2007, Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte shpallur fajtor Shkumbin Mehmetin për sulmin ndaj zyrtarëve të UNMIK-Ut dhe e kishte dënuar me 30 vjet burgim.