Foto: Kallxo.com

Dëshmitari pranon që bëri fushatë për LDK-në dhe mori vizë italiane nga Astrit Haraqija

Një dëshmitar që doli sot para gjykatës për dëshmuar në rastin e aferës me viza italiane ka pranuar se e kishte marrë një vizë italiane nga Astrit Haraqija, i akuzuar në këtë rast bashkë me Ukë Rugovën, djalin e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Gjykimi në këtë rast në të cilin janë të akuzuar edhe tre persona tjerë ka vazhduar të martën në gjykatën e Prishtinës me dëshminë e disa dëshmitarëve përderisa një prej tyre, Edmond Hoxha, specifikoi se e kishte lënë pasaportën në restorantin e tij dhe “pastaj më është bërë viza”.

“Këtë e kam marrë si nder që ma ka bo Astriti (Haraqija)”, tha ky dëshmitar.

Tashmë tri vite Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani po akuzuohen nga Prokuroria për veprat  penale  krim të organizuar lidhur me kontrabandim të migrantëve, ndërsa Rugova, Beqiri dhe Baholli edhe për armëmbajte pa leje.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për Haraqinë, Rugovën, Bahollin, Beqirin e Petanin është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1” ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Veçohet procedura në gjykimin për vizat italiane, Ukë Rugova ndihet i pafajshëm

Lidhur me këtë proces  gjyqësor  nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me pesë të akuzuarit  në “Ukë Rugova 1”  e deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë nga 70 të propozuar.

Dëshmitarja: Pasaporta më humbi në Ambasadë, u gjet te djali i Ibrahim Rugovës

Ndërsa grupi i dytë i të akuzuarve në procesin e quajtur “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën

Dëshmitarët para gjykatës rrëfyen se si kishin aplikuar për vizat italiane, përmes kujt, nëse i kanë marrë këto viza dhe a kanë pasur ndonjëherë problem gjatë kalimit të kufijve.

Dëshmitarët të cilët u dëgjuan sot deklaruan se nuk e ndjejnë veten të dëmtuar.

Dëshmitari Edmond Hoxha deklaroi se nga të akuzuarit i njeh vetëm Astrit Haraqinë dhe Ukë Rugovën si klientë të restorantit të tij ndërsa tha se gjatë fushatës zgjedhore ishte angazhuar për LDK-në, pa e specifikuar se për cilën periudhë ka qenë i angazhuar.

Ai tregoi se ka marrë shumë viza ndërsa viza italiane i kishte dy sosh.

“Çdo vit kam marrë viza biznesi, vizën e parë italiane e kam marrë nga shoqata e drurit në Milano, ndërsa vizën e dytë e kam marrë duke i besuar autoritetit dhe miqësisë me Astrit Haraqinë i cili e ka ditur se udhëtoj shpesh, dhe e kam ditur se ai do ta kryejë miqësisht, për t’i ikur procedurave”, tha Edmond Hoxha.

Në vitin 2016, Haraqija kishte pranuar në një deklaratë për KALLXO.com se kishte dhënë 40-80 viza italiane.

Dëshmitari Hoxha tregoi në seancë se pasaportën ia kishte lënë Astrit Haraqisë në restorant përmes njërit prej kamarierëve.

“Unë vetëm pasaportën e kam lënë në restorantin tim, pastaj më është bërë viza, këtë e kam marrë si nder që ma ka bo Astriti”, tha dëshmitari Edmond Hoxha.

Ai deklaroi se kishte menduar se viza do t’i bëhej më shpejt por atë e kishte marrë pas 3 muajve me vlefshmëri për 6 muaj.

Ai tha se për këtë vizë nuk kishte paguar asgjë.

I pyetur nga prokurorja Shamolli se a kishte punuar në familjen Rugova” dëshmitari Hoxha deklaroi se “vetëm për shërbime elektorale”.

Dëshmitari tjetër Neki Duraku deklaroi se qëndron pranë deklaratës të dhënë me datën  08 qershor 2015 në Polici.

I pyetur nga prokurorja e rastit Florije Shamolli se si kishte marrë vizën italiane Durkau tregoi se kur kishte shkuar për të larë veturën në Krushë të Madhe ishte njoftuar nga disa persona se është një person i panjohur i cili rregullon viza.

“Kur kam shkuar me la veturën në fshatin Krushë e Madhe, aty njerëzit më kanë treguar për këtë person se i rregullon dokumentet. Unë se kam njohur atëherë e edhe sot nëse e shoh mundem mos me njoftë”, tha ai.

Dëshmitari tregoi se personit të panjohur i kishte dhënë 4 foto, pasaportën dhe pasi kishte marrë vizën kishte paguar 4 mijë euro.

“Këtij personi ia kam dhënë 4 foto, pasaportën në shtëpinë time në Krushë të Madhe, dhe pas  4-5 dite kam marrë vizën italiane me vlefshmëri për 30 ditë, për të cilën kam paguar 4 mijë euro pasi u sigurova se viza është origjinal”, tha Neki Duraku.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte mbushur asnjë dokument, formular, poashtu as nuk kishte punuar asnjëherë në rezidencën e familjes Rugova.

I pyetur nga avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, se a është ndonjëri prej këtyre të akuzuarve personi që ka qenë në shtëpinë e tij të cilit për t’ia dhënë fotografitë dhe pasaportat dëshmitari u përgjigj “jo nuk është asnjëri prej tyre”.

E kur u pyet se çfarë i kujton emri ‘Luli’ nga Rogova e Hasit, dëshmitari tha se “unë e kam dëgjuar këtë emër pasi erdha nga Zvicra”.

“Nuk e ndjej veten të dëmtuar pasi e kam parë vëllain”, tha në fund të dëshmisë së tij, Neki Duraku.

Ndërsa dëshmitari Kujtim Doli, ish-futbollist i “Vllaznimit”, deklaroi se nuk ka marrë vizë italiane dhe nuk ka punuar asnjëherë te familja Rugova.

Pesë të akuzuarit duke përfshirë edhe djalin e ish presidentit Rugova, akuzohen për sigurimin e 500 vizave italiane Schengen në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kane përfshirë edhe 500 persona si familjarë te familjes Rugova me qëllim te përfitimit të këtyre vizave.