Arkiv - Ferid Agani në Rastin "Stenta"

Dëshmitari nuk e ndien veten të dëmtuar në rastin 'Stenta 2'

Gjykimi ndaj 41 doktorëve dhe infermier në rastin ‘Stenta 2’ ka vazhduar sot në Gjykatën e Prishtinës.

Në rastin e njohur si ‘Stenta”, Adem Ukaj ka rrëfyer në cilësinë e dëshmitarit se ‘në vitin 2013 e kam pasur nënën smut prej zemrës, atë e kam dërgu në spital të shtetit së pari në Pejë më kanë thënë me dërgu në spitalin privat amerikan ose turk sepse ka nevojë mi vendos stentat’.

“Nga Peja e kam dërgu në QKUK kontrollën e  ka bërë mjeku Rexhep Manaj, i njëjti ka thënë se ka nevojë për stenta, më ka thënë që përmes Ministrisë së Shëndetësisë mundet me vazhdu në mënyrë të rregullt nëse aprovohet kërkesa’’, deklaroi Ukaj.

Dëshmitari Ukaj tutje tha se: “Në  QKUK është bërë koronografia, kurse  stentat janë vendosur në Spitalin Turk, sepse në QKUK nuk ka pasur stenta’’.

Ai tutje ka deklaruar se kërkesën në vlerë prej 5300 euro për vendosjen e dy stendave në Ministri e ka dorëzuar para se të bëhej operacioni dhe të gjitha i ka paguar Ministria e Shëndetësisë, ndërsa operacioni ishte bërë në spitalin turk IMH.

“Prandaj unë nuk e konsideroj vetën të dëmtuar pasi Ministria e Shëndetësisë e ka paguar vendosjen e stentave dhe nuk parashtroj kërkesë pasuroro-juridike” tha dëshmitari Ukaj.

I akuzuari Rexhep Manaj pyeti dëshmitarin se: “A keni pasur ndonjë vërejtje gjatë trajtimit të nënës tuaj?”.

Dëshmitari tha: “Jo nuk kam pasur’’.

Avokati Arianit Koci kërkoi përjashtimin e trupit gjykues në rastin ‘Stenta’ mbi bazën se trupi gjykues është i përbërë nga një gjyqtare e departamentit special dhe dy anëtarë të departamentit të krimeve të rënda.

“Bazuar në ligjin për gjykata çështjet nga Prokuroria Speciale duhet të jenë të gjykuara nga trupi gjykues i departamentit special nëse vazhdojmë kështu ky trup gjykues nuk ka kompetencë të procedojë me këtë çështje penale”, tha avokati Koci.

“Ju mund të jeni gjyqtarja më profesionale në botë mirëpo nuk jeni me kompetencë në këtë çështje”, tha avokati Koci duke ju drejtuar kryetares së trupit gjykues Shadije Gërguri.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë 42 mjekë dhe një infermier, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Perihane Sefa, Masar Gashi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari,bBesim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi, Ferid Susuri dhe Perihane Sefa, gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

I akuzuar në këtë rast ishte edhe Ferid Susuri, por ndaj tij ishte veçuar procedura në dhjetor të vitit të kaluar për arsye shëndetësore.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 42 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor. Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.