Dëshmitari: Nuk e mora kurrë banesën e blerë nga 'Venis-O-Group'
Gjykimi për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash në lidhje me mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave nga kompania “Venis-O-Group”, ka vazhduar edhe sot në Gjykatën e Pejës.
Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani, po akuzohen se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë marrë kurrë.
Sot i dëmtuari Granit Hyseni doli para trupit gjykues për të treguar për dëmin që i është shkaktuar nga shitblerja për banesën që nuk e ka marrë asnjëherë.
Hyseni fillimisht tha se me të akuzuarën Estrida Bunjaku ka punuar bashkë në një bankë private, e që përmes një kolege që ka punuar aty ka rënë në kontakt më të.
Ai tha se nënshkruar një kontratë për blerjen e banesës, por që nuk e ka marrë asnjëherë.
“Kam qenë te vendi ku ka pas me u ndërtu banesa, besoj ka qenë diku 6 kate e ndërtuar, në katin e katërt ka qenë banesa e kontraktuar sa me kujtohet”, tha Hyseni.
Ai shtoi se e akuzuara i kishte propozuar të ndërronte lokacionin e banesës së kontraktuar për shkak të problemeve që kishte pasur firma e saj me lejen e ndërtimit të ndërtesës paraprake.
Dëshmitari tha se shuma që ka paguar ka qenë 10 mijë euro fillimisht dhe 10 herë nga 150 euro në muaj.
Dëshmitarët e tjerë nuk u paraqitën sot para gjykatës.
Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, pronarja e kompanisë “Venis-O-Group”, Estrida Bunjaku si dhe pesë persona të tjerë: Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani e Faton Orllani të cilët nga prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje me pronaren e kompanisë “Venis-O-Group”, i kanë mashtruar 176 qytetarë të cilëve u kanë paraqitur oferta të volitshme për shitblerjen e banesave ku më pas kontratat për shitblerjen e këtyre banesave kanë rezultuar të rrejshme.
Sipas aktakuzës të akuzuarit nga të dëmtuarit, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar vlerën e të hollave në shumë prej 2 milionë eurove.
Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit paraprakisht kanë qenë të obliguar që grupit kriminal t’i paguajnë shumën e të hollave në vlerën më të vogël prej pesë mijë eurove e deri tek shuma më e madhe në vlerë rreth 200 mijë euro.
Sipas prokurorisë këto të holla janë paguar në xhirollogarinë e kompanisë “Venis-O-Group” dhe në xhirollogarinë personale të Estrida Bunjakut e cila më pas përmes zyrtarëve të vetë të gjitha këto të holla i ka tërhequr brenda ditës dhe pastaj në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë bërë shpëlarjen e këtyre parave.